Ministri i Financave Ervin Mete deklaroi ditën e sotme se në agjendë të politikave fiskale është edhe synimi për ulur tatimi për një nivel pagash në vend.
“Nisur nga performanca shumë e mirë e të ardhurave, parashikojmë që si një masë lehtësuese për të punësuarit, në sektorin publik dhe privat, duke nisur nga muaji korrik, të rrisim kufirin mbi të cilin aplikohet shkalla e sipërme e tatimit mbi pagën”, tha Mete.
Aktualisht tatim 23% paguajnë ata persona që kanë pagë mujore mbi 200 mijë lekë, dhe me këtë ndryshim pritet që ky tatim të aplikohet për paga më të larta. Tatimi 23% aktualisht paguhet nga rreth 23 mijë persona.
Nga turizmi ekonomia shqiptare ka përfituar vitin e kaluar, 4.2 miliardë euro, bëri me dije ministri Mete në Forumin e CEO-ve të “AmCham”, i cili tha se kishte një rritje prej 47% krahasuar me vitin 2022.
Sa u takon investimeve të huaja, Mete tha se arritën nivelin më të lartë historik, prej afro 1.5 miliardë euro.
‘Treguesit makroekonomikë janë përmirësuar ndjeshëm, pozicioni i jashtëm i Shqipërisë është përmirësuar falë performancës shumë të mirë të sektorit të turizmit, i cili gjatë vitin e kaluar solli afro 4.2 miliardë euro të hyra në ekonomi, me një rritje prej 47% krahasuar me vitin 2022. Investimet e huaja arritën në nivelin më të lartë historik në vitin 2023, prej afro 1.5 miliardë euro, sipas të dhënave më të fundit të publikuara ditën e djeshme nga Banka e Shqipërisë.’- tha ministri.