Vendosni fjalën kyçe....

Vinicius Jr. shpërthen në lot gjatë konferencës: Ka shumë racizëm në futbollin spanjoll (Video)


Ylli i Real Madridit dhe Brazilit, Vinicius Junior, shpërtheu në lot në një konferencë shtypi teksa foli për racizmin me të cilin është përballur në Spanjë.

Lojtari i zi brazilian foli përpara miqësores së Brazilit kundër Spanjës të martën në stadiumin ‘Santiago Bernabeu’ të Madridit.

“Të luash futboll është e rëndësishme, por lufta kundër racizmit është edhe më e rëndësishme”, tha sulmuesi 23-vjeçar.

“Lërini njerëzit me ngjyrë të kenë një jetë normale. Nëse do ishte kështu, unë do shkoja në ndeshjet e Realit të Madridit i përqendruar vetëm tek loja. E vetmja gjë që dua është të vazhdoj të luaj dhe të gjithë të kenë një jetë normale”, tha ai.

Duhet bërë më shumë

Vinicius, një lojtar i Real Madridit që nga viti 2018, tha se kurrë nuk e kishte menduar të largohej nga Spanja, pavarësisht thirrjeve raciste ndaj tij.

“Nuk kam menduar kurrë të largohem nga La Liga, sepse përndryshe do t’u jepja racistëve atë që duan”, tha ai.

Megjithatë, ai tha se ndihet “gjithnjë e më i trishtuar” nga abuzimi racor.

“Unë kam gjithnjë e më pak vullnet për të luajtur. Me çdo sulm ndaj meje ndihem më keq, por duhet të paraqitem këtu dhe të jap maksimumin “, tha ai.

Vinicius tha se racizmi është një problem global dhe vuri në dukje se organet drejtuese të futbollit UEFA, FIFA dhe organizata e Amerikës së Jugut CONMEBOL mund të “bëjnë më shumë”.