Vendosni fjalën kyçe....

Ligji i ri do të forcojë kompetencat e AKEP për të ndërhyrë në tarifat me pakicë të komunikimit


Qeveria ka paraqitur për miratim në Kuvend projektligjin e ri “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”.

Një nga risitë kryesore të projektligjit është përcaktimi i dispozitave të posaçme për kontrollin rregullator të shërbimeve me pakicë të komunikimeve elektronike.

Sipas nenit 109 të projektligjit, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) mund të vendosë detyrime rregullatore për sipërmarrësit e shpallur me fuqi të ndjeshme në treg, në një treg me pakicë, nëse nga rezultatet e analizës së tregut AKEP krijon bindjen se tregu përkatës nuk është në konkurrencë efektive dhe arrin në përfundimin se detyrimet e vendosura për tregun e lidhur me shumicë nuk janë të mjaftueshme.

Sipas projektligjit, detyrimet e vendosura duhet të bazohen në natyrën e problemit të identifikuar dhe të jenë proporcionale dhe të justifikuara.

Detyrimet e vendosura përfshijnë kërkesa që sipërmarrësit e identifikuar “të mos ofrojnë çmime të larta, të cilat pengojnë hyrjen në treg ose kufizojnë konkurrencën, ose duke vendosur çmime grabitqare të mos tregojnë preferenca të panevojshme ndaj përdoruesve fundorë specifikë ose shërbime paketë, në mënyrë të paarsyeshme”.

AKEP mund të zbatojë ndaj këtyre sipërmarrësve masat e duhura të kufirit të çmimit të shitjes me pakicë, masat për të kontrolluar tarifat individuale ose masat për orientimin e tarifave drejt kostove ose çmimeve në tregje të krahasueshme për të mbrojtur interesat e përdoruesve fundorë dhe për të nxitur konkurrencën efektive.

AKEP siguron që, kur një sipërmarrës i nënshtrohet rregullimit të tarifave me pakicë ose rregullimeve të tjera përkatëse të shitjes me pakicë, të zbatohen sistemet e nevojshme dhe të përshtatshme të kontabilitetit të kostos.

AKEP do të specifikojë formatin dhe metodologjinë e kontabilitetit që përdoret. Pajtueshmëria me sistemin e kontabilitetit të kostos do të verifikohet nga një organ i pavarur i kualifikuar.

Vendimi për rregullimin e tarifave duhet të përfshijë dispozita që kanë të bëjnë me një afat të arsyeshëm kohor, detyrimin për dhënien e informacionit, kushtet për kohën e aplikimit në treg të tarifave të miratuara, kushtet shoqëruese, në rast se një tarifë zbatohet ndryshe nga ajo e

miratuar ose ajo ndryshohet pas miratimit, detyrimet për rregullimin e tarifave të miratuara, në rast se ndryshojnë tarifat e aksesit dhe të interkoneksionit, kushtet për njoftimin e ndryshimeve në tarifat sipas çmimeve të rregulluara.

Në dokumentin fundit të analizës së tregut celular, AKEP shprehej se struktura e re duopol shtron rreziqe në rritje për konkurrencën në tregun e komunikimeve celulare.

Sipas AKEP, një treg me numër të kufizuar lojtarësh mund të mbetet konkurrues, vetëm nëse roli rregullator i fushës AKEP përforcohet në aspektin e ndryshimeve ligjore për ndërhyrjet ex-ante (parandaluese), pasi një situate e tillë, veçanërisht situata duopol në tregun celular, krijon rreziqe të reja për prezencën e sjelljeve bashkërenduese ndërmjet ndërmarrjeve në treg në dëm të konurrencës.

Sipas AKEP, sjelljet bashkërenduese mund të shfaqen kryesisht nëpërmjet strategjive të çmimit dhe rritjes së dyshemesë së çmimit për të njëjtin shërbim, përfshirë këtu edhe tarifimin e shërbimeve të tjera shtesë që ndikojnë drejtpërdrejtë shërbimin parësor të kontraktuar nga pajtimtari, shërbime të cilat janë jashtë sferës së rregullimit dhe fokusit të ndërhyrjeve ex-ante (parandaluese) të rregullatorit të fushës.

Në fakt, edhe ligji aktualisht në fuqi nuk e ndalon AKEP për ndërhyrjen në tarifat me pakicë të shërbimeve të komunikimit. Megjithatë, dispozitat e reja që AKEP ka propozuar të shtojë në ligjin e ri nuk duket se lidhen edhe aq me shqetësimin për tarifa të larta me pakicë, por kryesisht me aplikimin e çmimeve nën kosto apo grabitqare nga operatorë të veçantë.

Ligji aktual nuk parashikon kompetenca eksplicite për rregullatorin në një rast të tillë. Megjithatë, në vitin 2014 AKEP vendosi detyrimin që operatorët të aplikojnë tarifa të njëjta brenda dhe jashtë rrjetit, duke i prerë rrugën me disa vite vonesë praktikës së ndjekur nga operatorë të mëdhenj për të mbyllur komunikimin brenda rrjeteve të tyre, duke ofruar tarifa shumë më të lira.

Por, kjo masë u shfuqizua në muajin shkurt të këtij viti, me argumentimin se struktura e re e tregut celular, me vetëm dy operatorë, nuk ekzistojnë më stimuj për përdorimin e një mekanizmi të tillë./E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor