Vendosni fjalën kyçe....

“Ukraina s’duhet t’i fshehë të vërtetat e hidhura nga fusha e betejës” – Diplomati amerikan


Një diplomat i lartë amerikan tha se presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy duhet të jetë më i hapur dhe të ndajë informacionet rreth gjendjes së luftës në Ukrainë.

Këshillat vijnë teksa luftimet shtohen mes përparimeve ruse në zonat kyçe dhe zbehjes së fokusit ndërkombëtar në luftë.

James Rubin drejton Qendrën Globale të DASH-it, që mbikëqyr përpjekjet e propagandës dhe dezinformimit nga shtetet armiqësore dhe aktorë të tjerë që synojnë SHBA-në dhe aleatët e saj në mbarë botën. Duke folur për podkastin ‘Power Play’ të POLITICO-s, Rubin tha “nganjëherë qeveria ukrainase mund t’i rezistojë llojit të lirisë së informacionit që është normale për ne”.

“Disa ditë, reporterët e luftës raportojnë gjëra që nuk janë domosdoshmërisht në interes të Volodymyr Zelenskyy,” vijoi ai.

“Por në një demokraci, drejt së cilës ne shpresojmë dhe shohim se Ukraina po shkon…ata mund të kuptojnë se të kesh reporterë të luftës që mbulojnë luftën, edhe nëse herë pas here ka lajme të këqija, është shumë më mirë sesa mjedisi i kontrolluar që Rusia ka vendosur për të gjithë njerëzit e saj.”

Ndërsa gazetarët ukrainas dhe perëndimorë kanë bërë presion për qasje më të madhe në vijat e frontit, autoritetet në Kiev kanë kufizuar raportimin nga zonat e ndjeshme në luftëë dhe kanë mohuar një rol më të fortë për transmetimin shtetëror, me arsyetimin se kufizimet shërbejnë për të mbytur fushatat e dezinformimit rus.

Rubin, megjithatë, sugjeroi se qasja më e mirë do forconte rastin urgjent të Ukrainës për më shumë ndihmë nga aleatët e saj. Ai shtoi se ndërsa vendi “po lëviz në drejtimin e duhur”, ai nuk është ende “një demokraci e plotë”.

Rubin, një ish-zëdhënës i Departamentit të Shtetit, këshilloi kryediplomaten Madeleine Albright gjatë luftës në ish-Jugosllavi në vitet 1990 dhe gjithashtu këshilloi presidentin Joe Biden për politikën e jashtme gjatë kohës së tij në Senat.

I pyetur për rolin e inteligjencës artificiale në luftimin e dezinformatave, Rubin u përgjigj: “Besoj se po përballemi me një luftë informacioni, si nga teknologjia ekzistuese, ashtu edhe të mbingarkuara nga mundësia e dezinformimit të prodhuar nga AI (Artificial Intelligence).”