Vendosni fjalën kyçe....

Dy të vdekur nga sulmet ruse ndaj infrastrukturës ukrainase të energjisë


Një sulm rus me raketa ndaj infrastrukturës së rajonit perëndimor të Lvivit të Ukrainës shkaktoi vdekjen e një personi, ndërsa një tjetër humbi jetën nga një sulm në verilindje, thanë zyrtarët të dielën.

Sulmi në Lviv shkatërroi një ndërtesë dhe hapi zjarr, tha guvernatori Maksym Kozytskyi në një postim në aplikacionin e mediave sociale Telegram. Ai tha se janë duke u kryer operacione shpëtimi.

Në rajonin e Kharkivit, guvernatori Oleh Syniehubov tha se një sulm ajror shkaktoi të dielën vdekjen e një 19-vjeçari pasi një predhë goditi një pikë karburanti.

Ndërkohë, qindra-mijëra vetë në rajonin e Odesës së Ukrainës humbën energjinë elektrike të dielën pasi mbetjet e një droni të rrëzuar rus hapën zjarr në një objekt energjetik, tha guvernatori Oleh Kiper.

Rreth 170,000 shtëpi pësuan ndërprerje të energjisë për shkak të sulmit, tha operatori më i madh privat i energjisë elektrike në Ukrainë, DTEK.

Forca ajrore ukrainase tha se rrëzoi nëntë nga 11 dronë të tipit Shahed të lëshuar nga Rusia gjatë natës, si dhe nëntë nga 14 raketa kruz.

Rusia ka përshkallëzuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës ditët e fundit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa rajone.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e VOA