Katër persona janë ndaluar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Tirane, ku mbeti viktimë 18-vjeçari Aurelio Dervishi. Katër personat e ndaluar dyshohen si autorë të ngjarjes.
18-vjeçari mbeti viktimë pas një sherri të çastit, ndodhur në natë më parë në rreth rrotullimin e Shkozës në kryeqytet.
Në konflikt u përfshinë dy grupe të rinjsh që lëviznin me dy automjete. 18-vjeçari u godit me thikë sapo doli nga automjeti. I riu nuk i mbijetoi plagëve të marra dhe ndërroi jetë rrugës për në spital.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Identifikohen dhe shoqërohen në ambientet e Policisë, 4 autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Shkozë.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një konflikt të çastit me mjete prerëse mes disa personave, ku si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën shtetasi A. D., 18 vjeç, ju informojmë se:
Janë identifikuar, kapur dhe shoqëruar në ambientet e Policisë shtetasit F. Sh., 20 vjeç, dhe tre të mitur të moshës 16 vjeç, 16 vjeç, një 15 vjeç, dhe po punohet per dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Nga veprimet paraprake hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas mbrëmjen e djeshme, duke qarkulluar me automjet, janë konfliktuar per motive të dobëta me shtetasit që ndodheshin në automjet me 18-vjeçarin. Më pas konflikti ka agravuar me mjete prerëse, ku është goditur me thikë 18-vjeçari, i cili si pasojë e dëmtimeve, ka ndërruar jetë rrugës për në spital.