Vendosni fjalën kyçe....

Juventusi në krizë totale, në rrezik edhe Champions-i


Juventusi ka prekur fundin, madje teksa e sheh në fushë kundër Lacios duket e shtrydhur, pa forca. Sepse bardhezinjtë jo vetëm nuk dinë më që të fitojnë, por në “Olimpiko” dorëzohen në mënyrën më të hidhur në mundshme, në të 93-ën, teksa Marusiç kërcën mbi Sekulovin, në debutimin e tij në Serinë A, me trajnerin Alegri që e hodhi në fushë vetëm në minutat finale.

Dhe kaq mjafton për të treguar se jo vetëm skuadra është e shpërqendruar, por edhe trajneri i saj është në një konfuzion total, duke qenë se prej kohësh nuk po arrin që të godasë asgjë si në të kaluarën me zgjedhjet e tij në formacion dhe tashmë rrezikon vërtet që të hedhë veten, por edhe këtë sezon të tretë radhazi në erë. Nëse deri përpara dy muajsh flitej ende për titull kampion, tashmë rrezikohet që pas humbjes me Lacion e ish-it Igor Tudor, të rrezikohet edhe zona Champions.

Sot, Bolonja mund të afrohet në 2 pikë nga vendi i tretë duke shtuar edhe më shumë presionin ndaj “Zonjës së Vjetër”, por gjithashtu edhe Atalanta dhe Roma në kuotën 51 dhe 50 pikë mund të frikësojnë jo pak (Juvja është në kuotën 59). Dhe tani më shumë se kurrë emri i fajtorit është ai i Masimiliano Alegrit, i cili u mbrojt nga klubi përpara ndeshjes me Lacion, si një mesazh që skuadra të reagonte fort, por jo, as reagim, as forcë dhe as besim se diçka mund të ndryshojë shpejt dhe Fiorentina, rivali i radhës në kampionat, do të jetë ndoshta “klienti i radhës” në Torino që do të kthjelltësojë më mirë situatën.

ALEGRI REZISTON – Dhe çfarë është më e keqja te Juventusi, pas humbjes me Lacion disa buzëqeshje, qoftë edhe ironike duke nisur nga ajo e Masimiliano Alegrit në konferencën për shtyp po tërbojnë edhe më shumë tifozët, që kanë nisur protestën masive në rrjetet sociale. Tashmë është luftë e hapur me livornezin 56- vjeçar, që vazhdon të lëshojë batuta, por kurrsesi të pranojë se është ai fajtori, apo akoma më shumë, të ofrojë atë që shumica tani dëshiron, dorëheqjen! Por nëse Alegri nuk e mendon aspak këtë ide, duke qenë se ende beson se mund të dalë nga kriza, edhe në klub janë të çorientuar dhe nuk kanë forca që as ta mendojnë këtë mundësi.

Dhe ndoshta kjo sepse “administrata” e Juves ka përfunduar një vend që nuk ka më njerëz që kanë luajtur në fushë, me avokatë e financierë, që janë përqendruar ndoshta me të drejtë te çështja e rregullimit të bilanceve, por harrojnë ndoshta se pa Champions-in nuk ka ekspert finance që do t’i shpëtojë edhe nga kriza financiare, përveç se ajo e rezultateve. Madje, herën e fundit që Juventusi bënte kaq keq, ishte sezoni 1998-1999, kur Marçelo Lipi, pas humbjes me Parmën pa lajmëruar askënd në klub doli në konferencën për klub dhe dha dorëheqjen e parevokueshme, shkruan PanoramaSport.