Vendosni fjalën kyçe....

Punësimi me pagë u rrit më shumë në industrinë automative, shëndetësi, informacion dhe akomodim më 2022


Informacioni ekonomik nga ndërmarrjet tregoi se në vitin 2022 punësimi me pagë shënoi rritje të fortë në aktivitet e inxhinierisë përpunuese (industria automative) shëndetësi, shërbimet e informacionit dhe akomodim.

Në vitin 2022 të gjithë prodhuesit në treg kishin të punësuar me pagë 457,620 persona me rritje 8.7% në krahasim me vitin 2021. Rritje më të madhe të punësimit me pagë e kishte inxhinieria përpunuese me rreth 32.7%. Ky sektor që përfaqësohet nga industria automative në vitin 2022 kishte 5621 të punësuar me pagë nga 4235 që kishe në vitin 2022.

Gjithashtu rritjen në përqindje më të lartë të punësimit me pagë e kishte sektori i shëndetësisë me 29%. Pandemia Covid-19 rriti nevojën për më shumë shërbime laboratorike dhe ekzaminime duke nxitur një seri aktivitetesh në këtë fushë duke ndikuar edhe në rritjen e punësimit me pagë. Në vitin 2022 shëndetësia, – sektori publik dhe ai privat së bashku, kishin 12100 të punësuar nga 9377 në vitin 2021.

Shërbimet e informacionit kishin rritje vjetore me 23% të punësimit me pagë. Sektori punësoi 11015 persona në vitin 2022 nga 9377 në vitin 2021.

Sektori i akomodimit e rriti me 23 për qind punësimin me pagë 2022 si rrjedhojë e zhvillimeve pozitive në turizëm ku numri i njësive akomoduese po shtohet nga numri i lartë i vizitorëve në vendin tonë.

Rritje mbi 20% të punësimit me pagë kishin edhe sektorët e transportit, agjencive të udhëtimit, shtypshkrimeve dhe shërbimit ushqimor.

Në anën tjetër rafineria dhe inxhinieria kimike dhe plastike shënoi rënie të punësimit me pagë me 11.8% në vitin 2022 në raport me 2021.

Sektori i tregtisë ishte ofruesi më i madh i punësimit me pagesë. Në vitin 2022 ishin mbi 92 mijë të punësuar me pagë në tregti me rritje vjetore 9%. Të punësuarit në tregti zunë 20% të punësimit me pagë më 2022.

Ndërtimit ishte ofruesi i dytë më i madh i punësimit me pagë më 2022. Sipas INSTAT në këtë sektori kishte mbi 52 mijë të punësuar me pagë më 2022 me rritje vjetore 5%.

Të punësuarit në ndërtim zënë 11.2% të totalit te të punësuarve me pagë më 2022. Pas ndërtimit, tregtia me shumicë ishte punëdhënësi më i madh në punësimin me pagë me rreth 47 mijë persona me një zgjerim vjetor 2.7% më 2022.

Nga ana tjetër punësimi pa pagë vijon të mbetet një fenomen shqetësues. Sipas të dhënave nga anketa e forcave të punës të vetë punësuarit pa pagë në bizneset e familjes përbëjnë 20% të totalit të punësimit. Numri i personave të vetëpunësuar arriti në rreth 408 mijë në vitin 2022, por shumica e tyre rreth 68% ishin të punësuar pa pagë./B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor