Një aksident i rëndë me 8 viktima ka ndodhur në rrugën Këlcyrë-Përmet.
Ngjarja tragjike ka ndodhor rreth orës 4 të mëngjesit të sotëm, kur një mjet “Mercedes-Benz” që transportonte emigrantë të paligjshëm është aksidentuar dhe për pasojë kanë humbur jetën 7 emigrantët e paligjshëm dhe drejtuesi i mjetit nga Shkodra.
Drejtuesi i makinës është identifikuar si Sokol Ismeti, i cili i kishte marrë emigrantët në fshatin Çarshovë, pranë pikës doganore Tre Urat në kufirin shqiptaro-grek.
Dinamika e aksidentit tragjik ngjarjes është ende e paqartë ndërsa dyshohet se drejtuesi i mjetit është përpjekur t’i largohet policisë duke bërë të të fluturojë nga rruga.
Pas daljes nga rruga, mjeti “Mercedes-Benz” ka rënë në anë të lumit Vjosa në fshatin Kuqar.
Siç duket nga fotot në vendngjarje, mjeti është kthyer në një grumbull hekurishtesh, i shkatërruar plotësisht.
Drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa ka dhënë detaje për aksidentin e ndodhur në Këlcyrë me 8 viktima. Në një deklaratë për mediat, Çipa shpjegoi se mjeti me emigrantë ka qenë duke lëvizur me shpejtësi tej normave dhe patrulla e policisë i ka bërë shenjë që të ndalojë.
Mjeti në këtë moment është kthyer për në drejtim të Përmetit duke u larguar me shpejtësi.
“Policia ka hasur një mjet që po vinte me shpejtësi tej normave të lejuara. Në përpjekje e sipër për t’i bërë shenjë për të ndaluar, automjeti është kthyer dhe është nisur me drejtim nga qyteti i Përmetit. Patrulla e policisë me automjetin e vet e ka ndjekur deri në afërsi të vendit të ngjarjes, ka informuar sallën operative për mjetin që ishte larguar në drejtim të Përmetit me shpejtësi. Rreth orës 03:55, duke qenë se nuk është konstatuar automjeti, patrulla ka lëvizur drejt Përmetit duke marrë edhe kontakte me qytetarët që i ka pyetur nëse kanë parë një mjet të tillë. Kanë nisur inspektimin e zonës dhe ka parë shenja të aksidentit rrugor dhe ka parë automjetin që ka rënë në anë të lumit Vjosa. Nuk japim dot një konkluzion sa i përket shpejtësisë së automjetit. Numri i kufomave është i madh dhe si rezultat ka kryerjen e shumë ekzaminimeve për të marrë dhe administruar prova për identifikimin e personave dhe sqarimin e rrethanave”, tha Çipa
Njoftimi
“Rreth orës 04:00, në aksin rrugor Këlcyrë- Përmet, në afërsi të fshatit Kuqar, dyshohet se si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga drejtuesi, automjeti tip Benz ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anë të lumit Vjosë. Si pasojë e daljes nga rruga kanë humbur jetën 8 shtetas.( 7 shtetas dyshohet se janë nga vendet e treta dhe drejtuesi i automjetit nga Shkodra).”