Ditën e sotme pritej të mbahej seanca gjyqësore e radhës për ish-kryeministrin Sali Berisha, për revokimin e masës së sigurisë ‘arrest shtëpie’, por edhe sot gjyqi është shtyrë.
Sipas informacioneve seanca e radhës do të mbahet më 8 prill, në orën 13:00. Shkak i shtyrjes, është bërë mungesa e prokuroreve. Përmes një shkrese, dy prokuroret e SPAK, vunë në dijeni gjykatën se nuk mund të paraqiteshin në seancë për arsye objektive. Ashtu si në çdo seancë, avokatët e Berishës, Sokol Mëngjesi dhe Genc Gjokutaj u paraqitën në ambientet e GJKKO.
Kujtojmë se Berisha ka bërë disa herë kërkesë për ndryshim të masës së sigurisë, por ajo është refuzuar. Po ashtu ai ka kërkuar që të jetë i pranishëm në seancat plenare, si e drejtë e tij për të përfaqësuar interesin e qytetarëve që e kanë zgjedhur, në Kuvend. Pavarësisht pretendimeve të tij, GJKKO ka refuzuar kërkesat.
Berisha ndodhet në arrest shtëpiak që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar.