Anëtarët e NATO-s që nuk shpenzojnë 2% të PBB-së së tyre për mbrojtje, po luajnë “ruletë ruse” me të ardhmen e Perëndimit, ka pohuar Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Grant Shapps.
Në një shkrim për The Telegraph të mërkurën, Shapps tha se anëtarët e aleancës duhet të pranojnë se Perëndimi tani është në një botë “para luftës” dhe për këtë arsye duhet të rrisin shpenzimet e tyre ushtarake.
Shumë shtete të NATO-s kanë luftuar për vite me radhë për të arritur një prag të rënë dakord prej 2% të PBB-së për shpenzimet e mbrojtjes, por procesi mori vrull pas fillimit të krizës në Ukrainë në 2014 dhe veçanërisht pas sulmit të Rusisë në shkurt 2022.
“Ne duhet të shikojmë përtej këtij objektivi për të forcuar mbrojtjen tonë. Megjithatë, disa vende ende nuk po arrijnë të përmbushin as 2%. Kjo nuk mund të vazhdojë më kështu. Ne nuk mund të përballojmë të luajmë ruletë ruse me të ardhmen tonë”, shkroi Shapps.
Vetëm 11 nga 32 vendet e NATO-s përmbushën udhëzimet e bllokut vitin e kaluar. Franca dhe Gjermania ishin ndër ato që shpenzuan më pak për mbrojtjen, sipas një raporti vjetor, megjithëse Parisi dhe Berlini kohët e fundit u zotuan se do përmbushin objektivat këtë vit. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg pohoi në shkurt se 18 anëtarë janë në rrugën e duhur këtë vit për të përmbushur objektivin prej 2%.
Në një shkrim për shënimin e 75-vjetorit të NATO-s, Shapps tha se anëtarët e bllokut “duhet të mendojnë urgjentisht edhe një herë për të ardhmen e aleancës”.
“Ne kemi kaluar nga një botë e pasluftës në një botë të paraluftës. Rusia po kërcënon fqinjët tanë. Kina është gjithnjë e më luftarake. Irani po përdor përfaqësuesit e tij për të shkaktuar rrëmuja rajonale nga Lindja e Mesme deri në ngushticat e Jemenit. Dhe Koreja e Veriut është vazhdimisht duke bërë prova bërthamore,” pohoi Sekretari britanik i Mbrojtjes.
Kryeministri polak Donald Tusk dha një mesazh të ngjashëm javën e kaluar, kur tha se Evropa kishte hyrë në një “epokë të paraluftës” në të cilën “çdo skenar” është i mundur. Tusk këmbënguli se “askush në Evropë nuk do jetë në gjendje të ndihet i sigurt” nëse Perëndimi nuk i siguron Kievit pajisje dhe municione të mjaftueshme për luftën me Rusinë.