Vendosni fjalën kyçe....

“Nëse NATO sjell ushtarë në Ukranë, s’do i zëmë robër, do i vrasim ” – Medvedev


Në një postim në mediat sociale, Medvedev sulmoi mbështetësit perëndimorë të Kievit, duke argumentuar se ata “po e marrin botën për budallenj” nëse besojnë se dërgimi i forcave të huaja në Ukrainë nuk do çonte në një përshkallëzim të rrezikshëm.

Nëse ushtarët e NATO-s përfundojnë në Ukrainë, ata nuk do të kufizohen në role jo luftarake, pohoi ai.

“Ata do bëhen pjesë e forcave të rregullta që po luftojnë kundër nesh. Kjo është arsyeja pse ata do të duhet të trajtohen vetëm si armiq”, shkroi Medvedev, i cili aktualisht shërben si zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë.

“Nuk do zëmë robër. Shpërblimet më të larta duhet të jepen për çdo ushtar të vrarë të NATO-s.”

Biznesmenët dhe aktivistët rusë kanë vendosur më parë shpërblime për shkatërrimin e tankeve të prodhimit perëndimor në Ukrainë.

Ideja për të pasur ushtarë të NATO-s në terren në Ukrainë është hedhur nga presidenti francez Emmanuel Macron, i cili tha se “të gjitha mundësitë janë në tavolinë “. Ai theksoi megjithatë se Parisi nuk ka plane të tilla për momentin.

Gjatë një bisede të rrallë telefonike mes shefave të mbrojtjes të mërkurën, ministri rus i Mbrojtjes Sergey Shoigu paralajmëroi homologun e tij francez, Sebastien Lecornu, se dërgimi i trupave franceze në Ukrainë do kishte pasoja katastrofike për Parisin.