Vendosni fjalën kyçe....

Zhupa: 95% e demokratëve janë bashkuar, grupimi tjetër s’ka pse të na pengojë


Deputetja demokrate Ina Zhupa, e ftuar në studion e News24 ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend teksa ka komentuar edhe punën e SPAK.

Zhupa u shpreh se opozita e ka inkurajuar SPAK duke çuar informacione pranë Prokurorisë së Posaçme, por theksoi se në rastin e ish-kryeministrit Berisha ka pasur një shelje të Kushtetutës, gjë për të cilën ajo u shpreh kritike.

Ajo nënvizoi se mazhoranca “po lëviz të gjithë gurët për të mbrojtur eksponentët e saj politikë” dhe nuk po i “lëshon dhe dorëzon”, sikurse shprehet kryeministri Rama.

Duke u ndalur te zhvillimet pranë opozitës, ajo u shpreh se tashmë 95% e grupit parlamentar të demokratëve dhe elektoratit janë bashkuar dhe se nuk beson se bashkimi me grupimin tjetër duhet të jetë pengesë për punën e pakicës parlamentare.

“E them me përgjegjësi të plotë se ne e kemi inkurajuar dhe kemi çuar informacione në SPAK. Shumë çështjes që kanë prapa hekurave zyrtarë janë denoncimet tona dhe sigurisht kemi shpresa që do të ngrihet në standardin e drejtësisë së re që i takon. SPAK duhet të arrijë te kokat, deri më sot nuk kanë arritur, ne do të presim. Për zotin Berisha është shkelur Kushtetuta dhe nuk mund t’i them të bardhës të zezë dhe të zezës të bardhë.

Mazhoranca po lëviz të gjithë gurët për të mbrojtur eksponentët e saj politikë, pra nuk i lëshojnë dhe i dorëzojnë siç thotë Edi Rama. Nuk kanë mbrojtur Goron por kanë mbrojtur Xhaçkën. Goro u bë koka e turkut. E gjitha kjo krijon kosto edhe publike për mazhorancën. Një opozitë e shëndetshme nuk duhet të ketë kartën e fitores vetëm skandalet e mazhorancës, por ekipin që duhet të paraqesim para shqiptarëve dhe te programi.

Nuk besoj se çelësi i fitores është te bashkimi, kemi bashkuar tashmë rreth 95% të grupit parlamentar dhe elektoratit opozitar. Edhe një votë ka vlerë dhe duhet të maksimizojmë votën e opozitës dhe nuk e mohoj që ka ende një grupim që nuk na është bashkuar. Por ky grupim nuk duhet të jetë pengesë dhe duhet të vijojmë.

Nuk ka asnjë pazar me mazhorancën dhe nuk po bëjmë asgjë për interesin tonë personal, por bëhet fjalë për një grup qytetarësh që janë vendosur nga qeveria represive që ka burgosur qytetarë për avlli, për një cigare hashash, apo se kanë marrë pjesë në protesta. Nuk ka as luftë kundër SPAK se nuk ka lidhje me ato amendamente.

Ne përballë kemi një mazhorancë që në momentin që njoftohet një kërkesë me firmat e 7 deputetëve për një mbledhje të komisionit ne nuk marrim përgjigje një arsye pse nuk duhet të mblidhemi apo një fakt se përse nuk bëhet dot mbledhja. Nuk ka një dialog që mund të jetë dhe për çështjes teknike, por kemi një bllok që thotë se nuk do të mblidhemi dhe nuk kemi punë të mblidhemi. Kjo është të shkatërrosh komisionet”, u shpreh ajo mes të tjerash.