Vendosni fjalën kyçe....

Makina godet turmën e protestuesve në Izrael, 5 të lënduar (Video)


Një makinë u përplas me një turmë protestuesish që kërkonin dorëheqjen e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Tel Aviv të shtunën në mbrëmje, duke plagosur pesë persona. Shoferi është ndaluar në vendngjarje.

Sipas një deklarate të shkurtër nga policia në X, ngjarja ka ndodhur në rrugën ‘Namir’, ku po mbahej një tubim antiqeveritar. Demonstrata ishte pjesë e protestave mbarëkombëtare në të cilat njerëzit i kërkuan Netanyahut të jepte dorëheqjen dhe kërkuan kthimin e pengjeve ende të mbajtura nga Hamasi në Gaza.

Videot që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë një grua në ulësen në krahun e pasagjerit të një makine të bardhë duke debatuar me inat me protestuesit, ndërsa policia përpiqet të largojë turmën dhe të lejojë makinën të largohet nga zona. Makina shpejton papritur, duke goditur disa persona. Policia tha se shoferi i anashkaloi kërkesat për të ndaluar dhe u arrestua menjëherë pas incidentit.

Sulmi u dënua nga politikanët izraelitë, me presidentin Isaac Herzog që paralajmëroi se “dhuna është një vijë e kuqe që nuk duhet kaluar kurrë”.

Ish-ministri i Drejtësisë Gideon Sa’ar e quajti përplasjen e protestuesve një “krim të qartë dhe serioz të urrejtjes”, duke bërë thirrje që fajtori të sillet para drejtësisë. Hilli Tropper, i cili shërbeu si ministër pa portofol, i kërkoi udhëheqjes izraelite që të dënojë “në mënyrë të fortë dhe të qartë” sulmin.

Ministri i Komunikimeve Shlomo Karhi, megjithatë, fajësoi për përshkallëzimin e dhunës politikanët “të majtë”, duke argumentuar se protestuesit “po e përçajnë shoqërinë”.

Protestat në shkallë të gjerë kanë rifilluar pasi lufta e Izraelit me Hamasin hyri në muajin e saj të gjashtë.

Një seri marshimesh të udhëhequra nga anëtarët e familjeve të pengjeve dhe aktivistët antiqeveritar u zhvilluan në shumë qytete, me demonstruesit që kërkonin një marrëveshje me Hamasin që do çonte në lirimin e më shumë se 100 pengjeve. Ata akuzuan Netanyahun se po e “dështonte qëllimisht marrveshjen”.