Vendosni fjalën kyçe....

Ma nalt shoku Rrapi, ma nalt me Dumanin


Nga Habjon Hasani

Lexova një shkrim të Baton Haxhiut sot, i cili godiste fort deklaratën e Dumanit, ndërsa ky i fundit bëri nje lapsus Frojdian kur deklaroi se “Gjykata speciale aprovon çdo kërkesë të bërë nga prokurorët e “SPAK”.

Kjo deklarate e Dumanit përveçse është e vërtetë, është shumë problematike dhe në një vend normal do shkaktonte stuhi. Mirëpo nuk jemi në rastin e një vendi normal.

Prokuroria speciale e Dumanit, ka shumë probleme, por ka dhe duk, produkt.

Mund të rendis tani nga vendi, 101 problematika të saj, që lidhen me tejkalime proceduriale etj.

Por në këtë pike kam një pyetje: Kush nuk ka probleme? Të gjithë kanë. Kush punon gabon.

Madje do mjaftonte të shikonim fotot e dhjetëra deputëteve dhe liderëve që kanë në këtë vend mijëra vota që parakalojne para SPAK-ut, ndërsa e vetmja here që Dumani parakaloi aty ishte kur zbriti të takonte një zv/shef te DEA-s buzagaz, ndonëse ky shefi i DEA-s nuk ka asnjë votë e asnjë mandat në Shqiperi. Të paktën “de jure”.

Do mjaftonte ky krahasim që Dumanin nga një këndvështrim e arsyetim model Kissingeri apo dhe “Putinist” po të doni, ta klasifikonim automatikisht thjesht një “nëpunës ambasade” dhe jo prokuror të shtetit.

Mirëpo kjo është vetëm njëra anë e medaljes.

Ekziston dhe ana tjetër e medaljes, ajo që po shohim çdo ditë, e që bën fjalë për një nivel tronditës plaçkitje dhe nje stil e frymë menaxhimi shtetit që ngjason me çeta arrogante grabitësish, që kanë kaluar në vetëbesim ekstrem dhe në sjellje banale, aq sa nuk bëjnë asnjë përpjekje për të fshehur gjurmët.

Do them diçka në këtë pikë.

Unë besoj dhe kam bindjen e plotë që Belinda Balluku nuk është niveli imbecil i Vis Berberit, por ajo ishte komode me të jo pse ai vidhte me kompanine e tij, por sepse ishte Yes-man dhe i bindej pa një pa dy prioriteteve të saj dhe të Ramës.

Unë besoj dhe kam bindjen e plotë që Erion Veliaj nuk është niveli i Qatos e Mollës dhe as e imagjinoj dot që do ishte dakord me atë turp që ata kanë gatuar, me ate arrogancë në grabitje e fyerje për këdo.

Por Veliaj ishte komod me ta, pasi i kanë rezultuar efikasë si në mbylljen e disa punëve publike jo fort të thjeshta, por dhe në ngritjen e shtabeve për sigurimin e votave.

Të gjithë keta janë shkollë e shtetit të Edi Ramës, reflektojnë në thelb sistemin e tij. Ndryshimi i vetem mes Veliajt dhe Ballukut është se Veliaj ka më shumë autonomi dhe për pasojë ka më tepër në dorë për të ndërtuar një sistem të vetin. Balluku i ka duart më të lidhura dhe është nën tutelë thuajse absolute të Ramës.

Për sa më sipër, ato 101 problemet që ka SPAK-u, janë irrelevante kur sheh malin me 1 milionë e 1 probleme që ka ky sistem ordiner plaçkitësish, kjo çetë me aktivitet tronditës që operon nën frymën dhe shkollën e Edi Ramës.

Ndaj dhe ndërmjet kritikave deri diku të drejta të Batonit për SPAK-un dhe kësaj çete e shkolle llumhaneje që ka ndërtuar shteti i Edi Ramës, personalisht zgjedh 101 here Dumanin dhe SPAK-un dhe jo çetën.

Sa më sipër gjykoj se është autogol dhe gafë e Ramës që të turrë analistët e tij për të gjetur gabimet e Dumanit.

Nuk janë ditet e Dumanit këto, janë ditët e çetës tuaj. Mos e beni ate gabim.

Merruni me veten më mirë dhe uluni me këmbë në tokë, se asnjë faj nuk ju ka as Dumani e as GJKKO-ja.

Madje bëni mirë që me atë ministrin e Drejtësisë të angazhoheni për të gjetur ndonjë zgjidhje për lehtësimin e malit me dosje që ka përmbytur prokuroritë dhe gjykatat në të gjithë vendin si pasojë e stanjacioneve që ka sjellë vettingu.

Ky është i vetmi shërbim që mund t’i bëni interesit publik në sektorin e drejtësisë.

Ma nalt thuajini Ulsit, ma nalt thuajini dhe Batonit, se përndryshe do bëheni aq bajatë dhe banalë sa do na duket Ilir Meta i hipur në hekura majë Kodres si njeriu më normal i këtij vendi.