Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka miratuar raportin e auditimit të raporteve financiare të partive politike, duke vendosur 108 gjoba për moszbatim të dispozitave ligjore për transparencën financiare.
Për shkelje të dispozitave për financimin e partive politike, Celibashi vendosi gjoba në masën 60,000 lekë për 94 partitë politike, ndërsa për mosraportim u gjobitën 14 parti me 1,000,000 lekë secila. Tre parti parlamentare, Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Partia Social Demokrate, u gjobitën me 60,000 lekë për shkelje të detyrimeve fiskale.
Partia Socialiste u gjet në shkelje për mosraportim të shpenzimeve të fushatës së zgjedhjeve të pjesshme vendore 2022 dhe për pagesa në të zezë, duke shmangur detyrimet tatimore. Partia Demokratike u gjet me probleme për mosndarjen e shpenzimeve të fushatës nga raportimi vjetor, ndërsa Partia Socialdemokrate e Tom Doshit u gjet me probleme në likuidimet e pagave dhe mungesën e dokumentacionit tatimor për disa pagesa.
Ish-Lëvizja Socialiste për Integrim (tani Partia e Lirisë) është e vetmja parti parlamentare që nuk është gjetur me probleme.
Raporti tregon se vetëm 48 nga 131 parti politike regjistruar kanë dorëzuar raportet financiare në kohë. Për 76 parti, auditimi nuk u krye për shkak të adresave jo të sakta, ndërsa 7 parti refuzuan bashkëpunimin me audituesit ligjorë. 4 parti janë shpallur subjekte me statusin pasiv nga organet tatimore.
Transparenca e financimeve të partive politike mbetet një çështje e vështirë, dhe KQZ ka kërkuar nga Kuvendi mekanizma ligjorë për kontrollin e financimeve, veçanërisht për përdorimin e aseteve publike në fushatë.