Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli i gatshëm të sulmojë objektet bërthamore iraniane


Izraeli do nisë sulme kundër programit bërthamor të Iranit në rast se Teherani hakmerret për sulmin e fundit në ambasadën e tij në Damask, ka raportuar një gazetë arabe me qendër në Londër, duke cituar një zyrtar anonim të sigurisë perëndimore.

Dy gjeneralë të Forcave Quds të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe disa oficerë të tjerë u vranë në sulmin ajror izraelit në konsullatën iraniane në Damask javën e kaluar. Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei është zotuar se Izraeli “do e paguajë çmimin” për sulmin.

Sipas Elaph News, një gazetë në internet në gjuhën arabe që vepron nga Britania e Madhe, Izraeli ka stërvitur pilotë për të goditur “vendet e rëndësishme” në Iran, potencialisht ato të përfshira në programin bërthamor të Teheranit.

Raporti i Elaph u mor nga tabloidi britanik The Sun, që postoi një listë të objektivave të mundshëm izraelitë, duke filluar nga reaktori në Arak dhe termocentrali bërthamor i Bushehr deri te miniera e uraniumit Gachin dhe objekti i pasurimit të uraniumit në Natanz. Gazeta vuri në dukje se një sulm izraelit ndaj ndonjë prej tyre do shënonte një “përshkallëzim të paparë” në luftën e Lindjes së Mesme.

SHBA-ja “do mbetet mbështetëse e Izraelit” dhe do t’i sigurojë atij të gjithë mbështetjen, armët dhe pajisjet e nevojshme për këtë mision, tha një burim për Elaph. Presidenti i SHBA-së Joe Biden ka siguruar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu se Uashingtoni do qëndrojë pranë Izraelit  “në çdo rrethanë”, shtoi burimi.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) tashmë kanë anuluar të gjitha lejet dhe kanë filluar të falsifikojnë sinjalet GPS, në përgatitje për një hakmarrje të mundshme iraniane. Disa media amerikane, duke cituar burime të inteligjencës amerikane, kanë raportuar se Teherani synon të përdorë raketa balistike dhe dronë kamikaze për të goditur infrastrukturën izraelite pasi të përfundojë muaji i shenjtë i Ramazanit.

“Të jeni të sigurt, të jeni të bindur, se përgjigja iraniane ndaj sulmit të konsullatës në Damask nga Izraeli, po vjen, tha udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah në një fjalim të premten e kaluar.

CNN, nga ana tjetër, citoi spiunë anonimë amerikanë të cilët thanë se Irani nuk ka gjasa të godasë drejtpërdrejt nga frika e hakmarrjes së SHBA-së dhe Izraelit dhe në vend të kësaj do mbështetej në përfaqësues të ndryshëm në rajon.