Kreu i SPAK-ut ka sqaruar deklaratën e bërë prej tij që sipas Dumanit ishte keqintepretuar se “Gjykata e Posaçme vendos atë çfarë kërkon SPAK”.
I pyetur nga deputetja e PD-së Dhurata Çupi, Dumani tha se deklarata e tij ishte keqinterpretuar dhe se ai ka thënë se “është shumë e rëndësishme për prokurorët e SPAK-ut që të tregohen të kujdesshëm në ngritjen e akuzave që kalojnë më pas për vlerësim në Gjykatën e Posaçme.
“Në raportimin tim para KLP-së unë kam evidentuar mes të tjerave një shqetësim institucional që kishte të bënte me ne Prokurorinë, që ishte rritja e numrit të pafajësive krahasuar me një vit më parë. I gjithë qëllimi ishte që ne prokurorët të jemi pak më të kujdesshëm kur ngremë akuzën. Gjykata është në të drejtën e vet të japë vendime si produkt i bindjes së brendshme dhe duke u bazuar në ligj e prova. Unë asnjëherë, edhe në marrëdhënie me kolegët, nuk komentoj asnjëherë asnjë vendim gjykate. Kam qenë dhe jam prokuror dhe mund të ngelem i pakënaqur nga një vendim gjykate sepse prokurori “dashurohet” më atë çështje, por realisht gjykata është sovrani dhe të dyja shkallët kanë dëshmuar integritet e profesionalizëm në dhënien e vendimeve të tyre.” – tha Dumani.
Ai shtoi më tej se ka shumë pafajësi në vendimet e gjykatave dhe kjo shton përgjegjësinë për SPAK-un që t’i kopsisë si duhet dosjet dhe provat para se të shkojë në Gjykatën e Posaçme, e cila i merr vendimet me integritet dhe pavarësi të plotë.
“Ne s’bëjmë asgjë tjetër, të gjithë prokurorët e Prokurorisë së Posaçme respektojmë vendimet, kur nuk kënaqemi ushtrojmë të drejtën e ankimit në të gjitha shkallët e gjyqësor dhe kemi të mirën tjetër që i përfaqësojmë vetë në të gjitha shkallët çështjet. Ju ftoj të shikoni vendimmarrjet e Gjykatave të Posaçme në raport me pafajësitë e dhëna. Masa e dënimi që janë të ndryshme në shumë raste me ato që kërkon prokurori, në raport me masat e e sigurimit, përqindja që masat e sgurimit janë të ndryshme nga kërkesat e prokurorit kjo është në diskrecionin e gjykatës e zgjidhur shekuj më parë. Mënyra si ajo deklaratë u interpretua ishte komplet jashtë asaj që unë po trajtoja në punën para Këshillit. Dhe thashë ishte momenti i përgjegjësisë tonë si institucion që të jemi të kujdesshëm kur ngremë akuzën, me një analizë më të gjerë të provave dhe të ligjshmërisë të vendimmarrjes tonë, para se të shkojmë në Gjykatë.” – shtoi Dumani.