Një deputet i opozitës gjeorgjiane ka goditur me grusht një ligjvënës të lartë të partisë në pushtet të vendit ndërsa ai po mbante fjalën për miratimin e një projektligji të diskutueshëm për agjentët e huaj, sipas një videoje që u bë virale në mediat sociale të hënën.
Aleko Elisashvili, i cili kryeson partinë “Qytetarët “dhe pretendon se ka luftuar për një kohë të shkurtër në Ukrainë kundër Rusisë në vitin 2022, goditi Mamuka Mdinaradze, udhëheqësin e shumicës parlamentare dhe sekretarin ekzekutiv të partisë “Ëndrra Gjeorgjiane”.
Në video shihet Elisashvili duke nxituar në foltore dhe duke goditur Mdinaradze në fytyrë teksa ai po mbante një fjalim. Salla më pas shpërthen në trazira të dhunshme ndërsa ligjvënësit me sa duket përpiqeshin të ndalnin sherrin.
Seanca parlamentare u pezullua për një kohë të shkurtër dhe Elisashvili duhej të shoqërohej jashtë sallës nga sigurimi.
Sherri ndodhi ditën e parë të debatit mbi një projektligj të titulluar “Për transparencën e ndikimit të huaj”. Një nismë e ngjashme u hod poshtë nga deputetët pranverën e kaluar pas protestave masive që çuan në përleshje me policinë.
Projektligji i vitit të kaluar do kërkonte që individët dhe organizatat me më shumë se 20% të financimit të huaj të regjistroheshin si “agjentë të ndikimit të huaj”. Ndërsa përkrahësit e tij argumentuan se kjo do rriste transparencën e medias, kritikët e kanë etiketuar atë “si ligj rus”.
Rusia miratoi legjislacion të ngjashëm në vitin 2012. Ligji rus është krahasuar me Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj të SHBA-së (FARA) të vitit 1938, i cili kërkon që individë dhe organizata të caktuara të regjistrohen si “agjentë të huaj”. Moska ka mohuar të ketë ndonjë lidhje me masën e propozuar në Gjeorgji.
Projektligji për agjentët e huaj gjeorgjian u kritikua gjithashtu nga presidentja gjeorgjiane Salome Zourabichvili, e cila paralajmëroi se do prishte shtytjen e vendit për t’u bashkuar me BE-në. Shtëpia e Bardhë, ndërkohë, ka argumentuar se legjislacioni do minonte lirinë e fjalës dhe do të dëmtonte lidhjet e Gjeorgjisë me Perëndimin.
I vetmi ndryshim midis versionit të ri dhe atij të vjetër të projektligjit është se termi “agjent i ndikimit të huaj” është zëvendësuar nga “një organizatë që lehtëson interesat e një fuqie të huaj”.
Ndërkohë, Elisashvili ka tentuar të mbrojë veprimet e tij, duke thënë se ka bërë diçka që asnjë deputet i opozitës nuk ka guxuar ta bëjë.
Mdinaradze akuzoi Elisashvilin se “e kishte goditur si hajdut”, duke shtuar se kolegu i tij nuk u soll “si burrë”.