Vendosni fjalën kyçe....

Në kërkim ndërkombëtar për trafik droge, arrestohet 46-vjeçari në Kavajë


Një 46-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë.

Ndaj 46-vjeçarit Samuel Garuja, gjykata në Italië ka caktuar “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrja në grup kriminal, me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Sipas policisë grupi kriminal ku merrte pjesë 46-vjeçari, dyshohet se gjatë periudhës 2013-2018, ka trafikuar drejt Italisë, sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike, kryesisht Heroinë.

NJOFTIMI I POLICISË

“Policia e Shtetit/Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 5”.

Operacioni, nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, në vijim të operacioneve policore për kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht.

Pjesëtar i një grupi kriminal, në Itali, për trafikim të Heroinës, lokalizohet në Kavajë dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 46-vjeçari.

Në vijim të operacioneve policore për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilat zhvillohen në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Operacionalja 5”.

Gjatë operacionit, u lokalizua në Kavajë, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar S. G., 46 vjeç. Gjykata e Katanzaros, Itali, më datë 04.07.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrja në grup kriminal, me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Grupi kriminal ku merrte pjesë 46-vjeçari, dyshohet se gjatë periudhës 2013-2018, ka trafikuar drejt Italisë, sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike, kryesisht Heroinë.

Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi”.