Vendosni fjalën kyçe....

I shpallur në kërkim për kultivim të narkotikëve, arrestohet 46-vjeçari në Shkodër, i’u gjendën 3 armë në banesë


Një 46-vjeçar është arrestuar në Shkodër në kuadër të operacionit ‘Sundimi i Ligjit’. 46-vjeçari mbante në banesë armë pa leje.

Konkretisht, gjatë kontrollit të ushtruar në shtëpinë e tij në fshatin Xhan i është gjetur 1 armë zjarri, 2 armë gjahu, 5 radio marrëse-dhënëse, një palë dylbi dhe një sasi municioni luftarak, sende që posedoheshin në mënyrë të kundërligjshme.

Policia ka ndarë edhe pamjet e momentit kur efektivët i futen në banesë dhe gjejnë armët. Një prej tyre duket e vendosur mbi një shapkë. 

46-vjeçari N. L., rezultoi se ishte i shpallur në kërkim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, pasi akuzohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, gjatë viteve të fundit, ka kultivuar bimë narkotike, në fshatrat Pult, Xhan dhe Alavana.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

NJOFTIMI I POLICISË

“Në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, për goditjen e paligjshmërive dhe për kapjen e shtetasve në kërkim, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dhe Forca Kombëtare e Sigurisë  finalizuan operacionin e koduar “Double”.

Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, se një shtetas mbante pa leje, në banesë, disa armë, është finalizuar operacioni, gjatë të cilit është arrestuar në flagrancë shtetasi N. L., 46 vjeç, banues në fshatin Xhan.  

Nga kontrollet në banesën e tij, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri, 2 armë gjahu, 5 radio marrëse-dhënëse, një palë dylbi dhe një sasi municioni luftarak, sende që posedoheshin në mënyrë të kundërligjshme. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ky shtetas ishte i shpallur në kërkim për vepren penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, pasi akuzohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, gjatë viteve të fundit, ka kultivuar bimë narkotike, në fshatrat Pult, Xhan dhe Alavana.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër”.