Vendosni fjalën kyçe....

Kandidate për kryeministër? Tabaku: Duhet të përqendrohemi te njerëzit…


Deputetja e PD-së Jorida Tabaku tha sot se ringritja e forcës politike ku bën pjesë mund të ndodhë përmes një procesi demokratik dhe ku të gjithë duhet të mos shohin interesat personale.

Lidhur me zërat se ajo mund të jetë candidate për kryeministër nga radhët e opozitës në zgjedhjet e vitit 2025, ajo tha se vitin e shkuar u dorëhoq nga pozicioni i nënkryetares së PD-së për t’i hapur rrugën reformimit të saj.

Tabaku tha se selia blu duhet të përqendrohet te njerëzit dhe se duhet të afrojë sa më shumë pasi ka nevojë për këdo në opozitë, tha ajo në emisionin ‘Kjo Javë’ në News24.

“Në qershor të vitit të shkuar dhashë dorëheqjen si zv/kryetare e Partisë nga ajo që kishte mbetur dhe e dhashë me tërë mend dhe bëra një propozim në atë kohë që një grup njerëzish ta marrin përsipër që të shkojmë me një ofertë në zgjedhje dhe pas zgjedhjeve të mendojmë për lidershipin e partisë. Edhe sot unë këtë mendoj. Dhashë dorëheqjen për të treguar se nuk ka rëndësi pozicioni. Nuk e dhashë dorëheqjen gjasme, por e dhashë me idenë që duhet të ikim nga interesat personale. Nuk e besoj që Partia Demokratike është akoma në këto diskutime. Le t’i lëmë kohë, kohës! Duhet të fokusohemi te njerëzit. Po them që t’i lëmë kohë njerëzve të diskutojnë! E mendoj se duhet t’i lë lëmë kohë njerëzve dhe mendoj se Partia Demokratike ka nevojë për këdo në opozitë.” – tha Tabaku.

Në një sondazh nga Barometri i Euroneës Albania Tabaku, doli politikania më e pëlqyer në PD me 47% të mbështetjes.