Deputetja demokrate Jorida Tabaku i cilësoi të papranueshme deklaratat shpërthyese të kreut të Partisë së Lirisë Meta ndaj SPAK-ut.
Ajo tha se opozita nuk e ka betejën më SPAK-un dhe duhet të përqendrohet te ndryshimi i kulturës së korrupsionit.
Tanaku tha se i vetmi njeri që është i interesuar që prokuroria të mos ketë pavarësi është kryeministri Rama.
“Politika ka frikë nga SPAK-u. Zyrtarët sot kanë frikë të firmosin nga frika e SPAK-ut. Ne nuk e kemi betejën me SPAK-un. Duke besuar te forca e ligjit duhet ta lëmë të bëjë punën e vetë dhe të fokusohemi te ndryshimi i kulturës së korrupsionit. Deklaratat e Metës më janë dukur të papranueshme. Nuk e kemi betejën me SPAK. Duhet të shohim si të përdorim çdo gjë që ka ndodhur për t’i kërkuar SPAK të shkojë te nivelet më të larta të pushtetit dhe të tregojë se nuk ka frikë nga pushteti. Duhet t’i lëmë kohën e duhur. Ne duhet të kemi një vëmendje të shtuar në prokurorët që do futen në sistem, por edhe në kreun e ardhshëm. Nëse ka një njeri që është i interesuar që SPAK të mos ketë pavarësi, ky është kryeministri”, tha Tabaku.