Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk jemi për shitje” – Protesta kundër turizmit masiv në Ishujt Kanarie


Një protestë masive kundër turizmit të shfrenuar është zhvilluaar në Ishujt Kanarie në Spanjë. Ata u kërkuan autoriteteve që të kufizojnë përkohësisht ardhjet e turistëve për të frenuar rritjen në stratosferë të qirave të pushimeve afatshkurtra dhe ndërtimin e hoteleve që po rrit kosto e strehimit për vendasit.

Duke mbajtur pankarta me shkrimin “Njerëzit jetojnë këtu” dhe “Ne nuk duam të shohim ishullin tonë të vdesë”, demonstruesit thanë se duhet të bëhen ndryshime në industrinë e turizmit që përbën 35% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) në arkipelagun e Ishujve Kanarie.

“Ky nuk është një mesazh kundër turistëve, por kundër një modeli turizmi që nuk i sjell dobi kësaj toke dhe duhet ndryshuar”, tha një nga protestuesit për Reuters gjatë marshimit në kryeqytetin e Tenerife, Santa Cruz de Tenerife.

Marshime më të vogla u mbajtën gjetkë në grupin e ishujve dhe qytete të tjera spanjolle, të gjitha të organizuara nga dy duzina organizatash mjedisore përpara sezonit të pikut të pushimeve verore.

Organizatat thonë se autoritetet vendore duhet të kufizojnë përkohësisht numrin e vizitorëve për të lehtësuar presionin mbi mjedisin, infrastrukturën dhe stokun e banesave të ishujve dhe për të frenuar blerjet e pronave nga të huajt.

“Autoritetet duhet të ndalojnë menjëherë këtë model të korruptuar dhe shkatërrues që varfëron burimet dhe e bën ekonominë më të pasigurt. Ishujt Kanarie kanë kufij dhe durimi i njerëzve gjithashtu,” tha për Reuters Antonio Bullon, një nga udhëheqësit e protestës.

Arkipelagu prej 2.2 milionë banorësh u vizitua nga afro 14 milionë turistë të huaj në vitin 2023, 13% më shumë se një vit më parë, sipas të dhënave zyrtare.

Autoritetet në ishuj janë të shqetësuar për ndikimin tek vendasit. Një projektligj që pritet të miratohet këtë vit, i cili ashpërson rregullat për lejet e shkurtra, vjen pas ankesave të banorëve për çmimet.

Presidenti i Ishujve Kanarie, Fernando Clavijo, tha të premten se ndihej “krenar” që rajoni ishte një destinacion kryesor turistik spanjoll, por pranoi se nevojiteshin më shumë kontrolle ndërsa sektori vazhdon të rritet.