Kryetari i Komisionit Qendor të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka konfirmuar se ka dështuar votimi për largimin e kryetarëve shqiptarë në veri.
Në konferencën për media, ai tha se në katër komunat veriore ka pasur gjithsej 253 votues.
“Duke u mbështetur në të dhënat që kemi pranuar nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve ju njoftojmë se 23 qendrat e votimit janë mbyllur në ora 19:00. Në këto katër komuna numri i qytetarëve që kanë votuar në procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni i tyre është si në vijim: Leposaviq 124 votues, Zubin Potok 18 votues, Zveçan asnjë votues, Mitrovicë e Veriut 111 votues.
Duke u mbështetur në të dhënat e daljes së votuesve në këtë proces ju njoftojmë se nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistuar siç kërkohet në nenin 72 të ligjit për vetëqeverisjen lokale. Pra nuk është arritur 50 për qind + 1 i domosdoshëm. Andaj konstatojmë se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë e Veriut ka dështuar”, tha ai.