Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje për zgjerimin e sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë për shkak të pushtimit të paprovokuar që Moska nisi ndaj shtetit të tij më 2022.
Zelensky e bëri këtë thirrje më 25 prill, teksa u takua në Kiev me ministrin britanik të Financave, Jeremy Hunt, me të cilin bisedoi për situatën në Ukrainë dhe nevojën për ta bërë më të vështirë që të shmangen sanksionet e vendosura ndaj Rusisë.
“Ne i kushtuam rëndësi të veçantë politikës së sanksioneve”, shkroi Zelensky në X, që më herët njihej si Twitter.
“Është e rëndësishme të zgjerohen masat kufizuese kundër Rusisë dhe që shmangia e sanksioneve të jetë e pamundur”, shtoi ai.
Zelensky falënderoi Britaninë për paketën e re të ndihmës ushtarake të cilën e prezantoi më herët gjatë javës kryeministri britanik, Rishi Sunak.
Paketa në vlerë prej 622 milionë dollarësh – më e madhja që Britania deri më tani i ka dhuruar Ukrainës – u bë publike nga Sunaku gjatë vizitës që ai zhvilloi në Poloni më 23 prill, duke bërë që ndihma e përgjithshme ushtarake që Londra i ka premtuar Kievit gjatë këtij viti të arrijë në 3.71 miliardë dollarë.
Britania, një prej aleateve kyçe të Ukrainës, po ashtu tha se do të dërgojë në Kiev paketën më të madhe ushtarake.
Ministri britanik Hunt, gjatë vizitës në Ukrainë, u takua edhe me kryeministrin ukrainas, Denys Shmyhal, me të cilin bisedoi për përmbajtjen e paketës së ndihmës ushtarake, e cila përfshin sisteme të mbrojtjes ajrore, në mënyrë që Ukraina të mbrojë më mirë qytetet nga sulmet ajrore ruse.
Vizita e Hunt në Ukrainë vjen pak pasi presidenti amerikan, Joe Biden, më 24 prill nënshkroi paketën e ndihmës ushtarake për Kievin në vlerë prej 61 miliardë dollarësh.
Sipas presidentit amerikan, ndihma e nevojshme, përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore, do të dërgohet brenda orësh.