Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, ka paralajmëruar se një pushtim i qytetit të Rafah do ecë para nëse Hamasi nuk pranon të lirojë disa nga pengjet izraelitë që ende mbahen në Gaza. Hamasi pritet të komentojë së shpejti një propozim izraelit për armëpushim.
Zyrtarët izraelitë kanë kërcënuar se do nisin një operacion tokësor në Rafah prej disa muajsh, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga SHBA dhe OKB. E vendosur në Gazën jugore pranë kufirit egjiptian, Rafah tashmë është shtëpia e rreth 1.4 milionë palestinezëve të zhvendosur nga kufijtë veriorë të enklavës dhe një pushtim i qytetit do kishte “pasoja të tmerrshme” për civilët që jetojnë atje, tha Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken në fillim të këtij muaji.
“Nëse ka një marrëveshje, ne do e pezullojmë operacionin”, tha Katz për Channel 12 të Izraelit të shtunën.
“Lirimi i pengjeve është një prioritet i thellë për ne,” vijoi ai duke shtuar: “Nëse ka një mundësi për të bërë një marrëveshje, ne do e bëjmë atë.”
Hamasi kapi rreth 250 pengje gjatë sulmit të tij të 7 tetorit kundër Izraelit, prej të cilëve 130 besohet se mbahen ende në Gaza. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka qenë nën presion të madh nga familjet e pengjeve për të arritur një marrëveshje me militantët për të liruar të dashurit e tyre, me protesta javore që po zhvillohen në Tel Aviv dhe Jerusalem.