Vendosni fjalën kyçe....

Kushtetuesja do shqyrtojë më 18 Qershor bashkë të tre paditë për ligjin e profesioneve të lira

Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë në seancën e përcaktuar më 18 Qershor 2024, bashkë të treja paditë e depozituara për shfuqizimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” që nisi zbatimin me profesionet e lira nga 1 janari.

Padia e parë në Kushtetuese u depozitua në muajin shkurt 2024 nga 37 deputetë të grupit parlamentar të PD-së. Më pas në muajin Mars u dërgua një tjetër kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit nga Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Miratuar (IEKA).

Nismës së avokatit Lulzim Alushaj për moszbatimin e ligjit si antikushtetues, në një padi të tretë më 19 Prill depozituar në Gjykatën Kushtetuese, iu bashkuan masivisht 400 profesionistë, si: avokat, përkthyes, financiarë, agjentë të shitjeve të pronave etj, edhe shoqata biznesi.

Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, kërkesat e jo më pak se 1/5 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Shoqata “Instituti i Kontabilistëve të Miratuar” (IKM), Shoqata “Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar” (IEKA), Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë, do të zhvillohen në seancë plenare publike më 18 Qershor. https://www.gjk.gov.al/web/Seancat_gjyqesore_Qershor_2024_2895_1-91.php

““Shfuqizimi i pjesshëm i nenit 3, pika 5, nenit 12, pika 1, shkronja “ç”, nenit 24, pika 2 dhe nenit 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë, të ligjit nr. 29/2023, datë 30.03.2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, për sa i përket profesionit të kontabilistit/ekspertit kontabël/audituesit ligjor, dhe profesionit të avokatit si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Shfuqizimi i nenit 4, pika 1 dhe i tabelës analitike nr. 2, të VKM-së nr. 753, datë 20.12.2023, që i referohet nënndarja 69, për profesionin të kontabilistit/ekspertit kontabël/audituesit ligjor dhe profesionit të avokatit, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pezullimi i zbatimit të nenit 3, pika 5, nenit 12, pika 1, shkronja “ç”, nenit 24, pika 2 dhe nenit 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë, të ligjit nr. 29/2023, datë 30.03.2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, si dhe nenit 4, pika 1 dhe i tabelës analitike nr. 2, nënndarja 69, të VKM-së nr. 753, datë 20.12.2023, për pjesën që i referohet profesionit të kontabilistit/ekspertit kontabël/audituesit ligjor, dhe profesionit të avokatit derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi””, citohet në objektin e padive.

Më herët përfaqësuesit e 3 padive pohuan për Monitor se arsyet e dërgimit të ligjit në Kushtetuese janë, cenimi i barazinë mes tatimpaguesve, parimet e shtetit të së drejtës, dhe shkeljes së konkurrencën mes bizneseve me efekt rritjen artificiale të tarifave për shërbimet e ofruara nga profesionistët e lirë.

Avokat Alushaj tha për Monitor se arsyeja kryesore e dërgimit të kërkesës për shfuqizimin e ligjit është antikushtetueshmëria, duke marrë në konsideratë: Cenimi i parimit të barazisë para ligjit dhe mos diskriminimit, Cenimi i lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe profesionit, Cenimi i parimit të shtetit të së drejtës dhe sigurisë juridike – Parimet e sigurisë juridike dhe mbrojtja e pritshmërisë së ligjshme, Paragjykimi i hyrjes në profesionet e lira dhe rëndësinë e vazhdueshmërisë së profesioneve të rregulluara (ose jo), Cenimi i drejtpërdrejtë i konkurrencës dhe ngritja artificiale e çmimeve të shërbimeve, arsyetimi mbi pasojat që sjell aplikimi i Ligjit dhe pezullimin e pjesshëm të tij etj”, nënvizon avokat Alushaj.

Edhe deputetja e PD-së Jorida Tabaku pohoi për Monitor se kërkesa për shfuqizimin e tij u dërgua me argumentet e cenimit të parimit të sigurisë juridike dhe shkeljes së barazisë përpara ligjit.

Edhe për IKM pretendimet në lidhje me shkeljet kushtetuese janë: 1.Cenimi i parimit të barazisë para ligjit; 2.Shkelja e të drejtës themelore të lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe të profesionit; 3.Cënimi i parimit të shtetit të së drejtës dhe sigurisë juridike; 4.Cënimi i parimit të rezervës ligjore në fushën tatimore dhe hierarkisë së normave.

Çfarë parashikon ligji?

Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” u miratua në muajin mars 2023 nga Parlamenti. Në muajin dhjetor u botua në Fletoren Zyrtare vendimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave me listën për shërbimet e profesioneve të lira që do të përfshihen në taksimin e ri, duke përfshirë 26 lloje aktivitetesh duke nisur nga shërbimi IT, i kontabilitetit, avokatët, arsimin, mjekët, pasuritë e paluajtshme, agjencitë e lajmeve, agjencitë e punësimit, të sportit operatorët turistikë etj.

Ligji parashikon që të ardhurat neto të tatueshme (fitimi i tatueshëm) nga biznesi për individët tregtarë dhe të vetëpunësuarit me qarkullim vjetor deri 14,000,000 lekë tatohen me normën tatimore 15% dhe për bizneset me qarkullim vjetor mbi 14,000,000 lekë norma e tatimit është 23%.

Ligji parashikon përzgjedhjen e regjimit të veçantë të zbritjes së shpenzimeve apriori 30% për individët tregtarë dhe të vetëpunësuar me qarkullim vjetor deri në 10,000,000 lekë ose opsionin e zgjedhjes së deklarimit të shpenzimeve të zbritshme bazuar në dokumentacionin dhe faturat respektive për çdo shpenzim.

Ndërsa bizneset me qarkullim vjetor mbi 10,000,000 lekë deri në 14,000,000 lekë tatohen me normën 15%, por kanë detyrimin të dokumentojnë nëpërmjet faturave shpenzimet.

Edhe kategoria tjetër e bizneseve që përfshihen në të ardhurat vjetore mbi 14 milionë lekë kanë detyrimin e deklarimit të shpenzimeve vjetore bazuar në dokumentacionin dhe faturat respektive për çdo shpenzim, por ndryshe nga fashë e parë fitimi i kësaj kategorie do të tatohet me normën tatimore 23%.

Si u zbatua ligji?

Në fund të muajit dhjetor 2023, shumë ditë para nisjes së zbatimit të ligjit qeveria miratoi Aktin Normativ për ndryshimin e tij, që parashikonte zbatimin e tij nëpërmjet formularëve të vjetër, pasi nuk u arrit të bëhej gati formulari i ri i deklarimit të ardhurave. Si rrjedhojë, deklarimi i të ardhurave do të bëhet sipas modelit të formularëve të vjetër, pra atyre ekzistues, por do të tatohen sipas normave të reja tatimore që nisin zbatimin nga 1 janari 2024 me të vetëpunësuarit e profesioneve të lira.

Në muajin Prill, tatimet dërguat te bizneset njoftimet për llogaritjen e parapagimit të tatimit bazuar mbi të ardhurat dhe shpenzimet e deklaruara për vitin 2023. Në shumicën e rasteve këstet e llogaritura të parapagimit arrinin në vlera të larta, si: 700, 800 apo 1,000 eurove. Sakaq në asnjë rast nuk rezulton se është zbatuar njohja e shpenzimeve fikse në masën 30% për të vetëpunësuarit e profesioneve të lira me xhiro deri 10 milionë lekë në vit, siç përcaktohet në ligjin i ri “Për tatimin mbi të ardhurat” dhe udhëzimin shoqërues për zbatim.

Llogaritjet e kësteve (9 këste ) të parapagimit sipas kontabilistëve janë kryer mbi të ardhurat dhe shpenzimet faktike të deklaruara për 2023, kur shpenzimet e deklaruara nga subjektet janë të ulëta, për shkak të natyrës së punës së shërbimeve profesionale dhe mos përgjegjësisë tatimore për t’i deklaruar të plota.

Llogaritjet e tatimeve nga ekspertët u vlerësuan jo korrekte edhe nga përmbajtja juridike e zbatimit të ligjit, ku në disa raste tatimet iu referoheshin ligjit për taksat vendore ose ligjit të shfuqizuar për tatimin mbi të ardhurat. Ndërsa ekonomistët pohuan se ishin të informuar që zbritja e shpenzimeve fikse që nuk mund të deklarohej nëpërmjet formularëve të vjetër të deklarimit, për shkak të pamundësisë nga modeli, do të zbatohej si zbritje nga administrate tatimore.

Për njohjen e shpenzimeve 30% tatimet kanë sqaruar se do të zbatohen në deklarimet e 2024, që kryhen më 31 mars 2025, pas plotësimit të formularit për përzgjedhjen e regjimit të veçantë që pritet të shpërndahet në fund të vitit. /D.Azo

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor