Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugët e kryeqytetit të Gjeorgjisë, Tbilisi të dielën në kundërshtim me një projektligj që do t’u kërkonte të gjitha OJQ-ve dhe subjekteve të tjera që marrin fonde nga jashtë të regjistrohen si “agjentë të huaj” dhe të raportojnë aktivitetet e tyre tek autoritetet.
Në fillim të këtij muaji, legjislacioni, i njohur zyrtarisht si projektligji “Për transparencën e ndikimit të huaj”, u miratua nga parlamenti.
Partitë e opozitës dhe grupet e të drejtave kërkuan protesta masive kundër miratimit të tij të pritshëm, me tubimin e fundit masiv të mbajtur të dielën.
Turma marshoi nëpër “Avenue Shota Rustaveli” në qendër të Tbilisit me një pankartë të madhe ku shkruhej, “Po, Evropa” dhe u mblodh para ndërtesës së parlamentit në Sheshin e Republikës duke valëvitur flamujt e Gjeorgjisë, BE-së dhe Ukrainës.
Gjendja u përshkallëzua kur një grup protestuesish u përpoqën të kalonin pengesat që rrethonin ndërtesën e qeverisë, duke bërë që policia të përdorte spërkatës me piper. Autoritetet u kërkuan protestuesve të ruajnë rendin publik, duke thënë se njësitë e zbatimit të ligjit janë mobilizuar për të mbrojtur “sigurinë e qytetarëve”.
“Protesta mori një drejtim të dhunshëm. Pjesëmarrësit e tubimit janë përballur verbalisht dhe fizikisht me efektivët e rendit në vendngjarje. Pavarësisht thirrjeve të bëra nga policia, aktivistët u përpoqën të çajnë kordonin policor disa herë”, tha Ministria e Brendshme në një deklaratë të shkurtër, duke shtuar se “për të rivendosur rendin, policia përdori mjete speciale të përcaktuara me ligj”.
Parlamenti i cili kontrollohet nga partia Ëndrra Gjeorgjiane, fillimisht u përpoq të prezantonte ligjin në mars 2023, por u tërhoq pas dy netësh protestash të dhunshme.
Projektligji origjinal do t’u kërkonte organizatave dhe individëve me më shumë se 20% financim të huaj të regjistroheshin si “agjentë të ndikimit të huaj” dhe të zbulonin donatorët e tyre.
Opozita e quajti atë një “ligj rus” dhe akuzoi partinë në pushtet se e modeloi atë sipas legjislacionit të prezantuar nga Moska në 2012.
Partia në pushtet argumentoi se ajo në fakt u frymëzua nga Akti i Regjistrimit të Agjentëve të Huaj të SHBA-së i vitit 1938 dhe këmbënguli se ligji nevojitet për të luftuar “vlerat pseudoliberale” të nxitura nga të huajt.