Johnson & Johnson tha të mërkurën se po ecën përpara me një zgjidhje të propozuar prej 6.48 miliardë dollarësh të dhjetëra mijëra padive që pretendojnë se pluhuri i saj për fëmijë dhe prodhime të tjera talk përmbajnë asbest dhe shkaktojnë kancer ovarian, shkruan Reuters.
Marrëveshja do e lejonte atë të zgjidhte paditë përmes një paraqitjeje të tretë falimentimi të një kompanie filial. Kompania do fillojë një periudhë votimi tremujore me shpresën për të arritur konsensus mbi zgjidhjen e të gjitha pretendimeve aktuale dhe të ardhshme për kancerin ovarian.
Këto pretendime përbëjnë 99% të padive lidhur me talkun të ngritura kundër J&J, përfshirë rreth 54,000 padi që janë të centralizuara në një procedurë gjyqësore federale të Nju Xhersit.
Gjykatat kanë kundërshtuar dy përpjekjet e mëparshme të J&J për të zgjidhur paditë përmes falimentimit të filialit të krijuar për të përthithur detyrimin e kompanisë, J&J, e cila thotë se produktet e saj nuk përmbajnë asbest dhe nuk shkaktojnë kancer, tha se zgjidhja e saj mbështetet nga avokatë që përfaqësojnë shumicën e paditësve që kanë ngritur padi kundër kompanisë.
Erik Haas, nënkryetari i çështjeve gjyqësore në mbarë botën i J&J, tha se mbledhja e votave përpara një deklarimi falimentimi do lejonte që plani i ri të kishte sukses aty ku përpjekjet e kaluara të J&J dështuan.
J&J tha se ka besim se marrëveshja do arrijë një prag të mbështetjes prej 75% të nevojshëm për një zgjidhje falimentimi që do t’i jepte fund procesit gjyqësor tërësisht, duke mbyllur paditë e ardhshme dhe duke i penguar njerëzit të zgjedhin jashtë marrëveshjes për të ndjekur pretendimet e tyre të veçanta.
Avokatët që përfaqësojnë viktimat e kancerit dukeshin të ndarë për propozimin të mërkurën.