Vendosni fjalën kyçe....

Mbi 100 të dënuar për korrupsion u liruan nga Amnistia, PD-zyrtare kërkon interpelancë më Manjën


Partia Demokratike zyrtare ka kërkuar interpelance me Ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja lidhur me Amnistinë Penale nga e cila u liruan mbi 700 të dënuar për vepra të ndryshme.

Por arsyeja pse PD-zyrtare nëpërmjet Enekelejd Alibeajt kërkon interpelancën është sepse sipas raportimeve mediatike mbi 100 të dënuar për korrupsion u liruan duke përfituar nga Amnistia.

Sipas Alibeajt, PD-ja zyrtare e denoncoi votimin e Amnistisë me votat e Partisë Socialiste dhe Rithemelimit duke mos pranuar amendimet që ndalonin lirimin e të dënuarve nga GJKKO.

’25 ditë më parë, rreth 110 deputetë të Kuvendit bashkuan votat për të amnistuar edhe të dënuarit nga SPAK-GJKKO. 25 ditë më parë, përfaqësuesit më të zëshëm të atij bashkimi të turpshëm votash u përbetuan se “asnjë i dënuar për korrupsion nga GJKKO nuk do përfitonte”, apo se “ishin marrë statistika mbi përfituesit potencialë, e thjesht 2-3 policë do përfitonin”. Sot, mediat BIRN Albania dhe Investigative Netëork Albania kanë raportuar sipas informacionit të marrë nga SPAK, mbi 100 të dënuar për korrupsion u amnistuan. Një ligj i gatuar në errësirën e natës, në shkelje të procedurës parlamentare, me shpejtësi, pjellë e një pazari transversal të pamoralshëm politik, nxori nga burgu apo uli dënimin e mbi 100 të dënuarve për korrupsion (e me gjasë të tjerë do vijojnë të përfitojnë ditët në vazhdim).

Besimi publik për ndëshkimin e korrupsionit dhe fund të pandëshkueshmërisë Reforma në Drejtësi mori goditje të fortë! Në thelb, pazari i amnistisë ishte prova gjenerale e një bashkëpunimi i rreth 110 deputetëve në mbrojtje të së shkuarës korruptive. Ata u bënë bashkë kundër drejtësisë, e me këtë akt i dhanë goditje të qartë BKH-SPAK-GJKKO. Partia Demokratike që në fillim depozitoi amendamentet kundër amnistimit të të korruptuarve, në mbështetje të SPAK-GJKKO, duke denoncuar pazarin e aleancës antiSPAK në kurriz të qytetarëve shqiptarë, që kërkojnë fundin e pandëshkueshmërisë. Me raportimin tashmë të fakteve nga media për amnistimin e të korruptuarve, PD do të ndërmarrë çdo hap për vënien para përgjegjësisë të kujtdo duke filluar me kërkesën për interpelancë urgjente me ministrin e Drejtësisë.’- shkruan Alibeaj.