Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata Ndërkombëtare Penale s’ka të drejtë të hetojë Izraelin – Uashingtoni


Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) nuk ka juridiksion mbi zyrtarët izraelitë, u tha gazetarëve të martën zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, ndërsa lufta në Gaza po i afrohet muajit të shtatë.

Deklarata e tij pasoi raportet se gjykata me bazë në Hagë mund të lëshojë urdhërarresti për udhëheqjen izraelite mbi sjelljen e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) në Gaza. Bloomberg shkroi të hënën se vendet e G7 i kishin thënë privatisht ICC-së se Izraeli mund të tërhiqej nga një armëpushim i mundshëm nëse hetuesit synojnë drejtpërdrejt zyrtarët e tij.

Pavarësisht se nuk e njeh juridiksionin e ICC-së mbi qytetarët e vet, SHBA bashkëpunon me gjykatën në “një numër fushash kyçe”, u tha Patel gazetarëve.

“Ne mendojmë se ata bëjnë punë të rëndësishme në lidhje me Ukrainën, Darfurin, Sudanin,” shtoi ai. “Por përsëri, në këtë rast të veçantë, më vjen keq, ata thjesht nuk kanë juridiksion.”

Zyrtarët izraelitë janë të shqetësuar se kryeministri Benjamin Netanyahu, ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant dhe shefi i shtabit të IDF-së Herzi Halevi mund të jenë në shënjestër të ICC-së, sipas Times of Israel.

Në një video të publikuar të martën, Netanyahu kritikoi urdhrat e mundshëm si “një fyerje me përmasa historike”.

“Vendosja e krerëve dhe ushtarëve të Izraelit si kriminelë lufte do hedhë benzinë në zjarret e antisemitizmit”, tha Netanyahu, duke shtuar se vendi i tij nuk e njeh juridiksionin e gjykatës. Ai akuzoi ICC-në se po përpiqej të “paralizonte vetë aftësinë e Izraelit për të mbrojtur veten”. Ashtu si SHBA-ja, Izraeli nuk është palë e ICC-së.

Në fjalimin e tij, Netanyahu përsëriti se ushtria izraelite nuk do ndalet derisa grupi militant palestinez Hamasi të shkatërrohet dhe se Gaza nuk do përbëjë më kurrë kërcënim për Izraelin.

Në janar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ), një organ i veçantë gjyqësor, vendosi se është “e besueshme” që veprimet e IDF në Gaza të përbëjnë gjenocid. Gjykata po shqyrton aktualisht çështjen e ngritur kundër Izraelit nga Afrika e Jugut, megjithëse një vendim mund të zgjasë me vite. Presidenti izraelit Isaac Herzog e dënoi vendimin e GJND-së për të nisur procedurat si “mizor dhe absurd”.