Vendosni fjalën kyçe....

Bypassi i Murrizit në gjendje të shkatërruar, ankohen drejtuesit e mjeteve


Bajpasi i Murrizit, pjesë e rrugës së Arbrit është kthyer në një makth të vërtetë për drejtuesit e automjeteve. Në të dy anët e tij gropat e mëdha të hapura në të janë bërë pengesë për lëvizjen lirshëm të automjeteve që qarkullojnë në drejtim të Tiranës apo Qarkut Dibër.

Situata është e tillë prej disa muajsh pasi nuk është bërë asnjë ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse. Për shkak të terrenit të thyer por edhe fluksit të madh të automjeteve që e përdorin këtë rrugë, gjendja e saj ka ardhur duke u rënduar çdo ditë.

Prani të gropave ka që nga hyrja e tunelit numër 1 në anën e fshatit Bastar të Tiranës e deri në daljen e tunelit në anën e fshatit Xibër – Murrize të Klosit. Drejtuesit e automjeteve shprehen se firma apo kushdo që e ka në përgjegjësi këtë rrugë duhet të ndërhyjë dhe të mbushë gropat, përderisa është lejuar qarkullimi. Ata shtojnë se po abuzohet me fondet e kësaj rruge dhe se institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë.

Nëse nuk ndërhyhet tani, situata pritet të përkeqësohet dhe se gropat do të jenë një burim i shtuar aksidentesh në të gjithë bajpasin.