Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli nis evakuimin e civilëve në Rafah, Borrell kritika të ashpra: Do të sjellë më të keqen


Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, e ka vlerësuar sot si të “papranueshëm” urdhrin e evakuimit të dhënë nga Izraeli për banorët e Rafahut, në jug të Rripit të Gazës.

Ai urdhër “parashikon më të keqen, më shumë luftë dhe zi buke”. Kjo është e papranueshme. Izraeli duhet të braktisë ofensivën tokësore në Rafah”, ka shkruar ai në një mesazh në rrjetin social “X”.

“BE, së bashku me komunitetin ndërkombëtar, mund dhe duhet të veprojë për të parandaluar një skenar të tillë,” shtoi Borrell.

Sot, Izraeli filloi evakuimin e 100,000 njerëzve nga pjesa lindore e qytetit Rafah në jug të Rripit të Gazës, ku ushtria po përgatitet për një ofensivë të madhe në luftën kundër Hamasit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi ofensivën në Rafah në javët e fundit, të cilën e prezantoi si bastionin e fundit të organizatës islamike Hamas, e cila sundon territorin palestinez.

Sipas të dhënave të OKB-së, aty jetojnë rreth 1.2 milionë palestinezë, ose rreth gjysma e popullsisë së të gjithë Rripit, shumica e tyre të zhvendosur, të cilët ikën nga lufta në veri.