Vendosni fjalën kyçe....

Gjykatësi gjobit sërish ish-presidentin Trump, e paralajmëron për dënim me burg


Gjykatësi i çështjes penale ndaj ish-presidentit Donald Trump e gjobiti sërish atë për shkelje të urdhrit të gjykatës që e ndalon atë të flasë kundër dëshmitarëve apo punonjësve të gjykatës. Kjo është hera e 10-të që zoti Trump ndëshkohet për shkelje të urdhrit.

Gjykatësi Juan Merchan tha se gjobat prej 1000 dollarësh, për çdo shkelje, që ai ka vendosur deri më tani, nuk duket se po e pengojnë zotin Trump ta shkelë urdhrin. Ai tha se nëse do të ishte e nevojshme do të vendoste një dënim me burg, gjë që deri tani sikurse tha ishte përpjekur ta shmangte me çdo kusht.

Gjykatësi shtoi se shkeljet e “vazhdueshme e të qëllimshme” nga ana e zotit Trump përbënin një “sulm të drejtpërdrejtë ndaj sundimit të ligjit”.

“Nuk dua të vendos ndonjë masë me burg dhe kam bërë gjithçka që mundem për të mos e bërë këtë. Por do ta bëj nëse do të jetë e nevojshme”, tha zoti Merchan.

Donald Trump akuzohet për falsifikim të të dhënave të biznesit me synimin për të mbajtur të fshehur një pagesë prej 130,000 dollarësh bërë ish-yllit të filmave pornografikë Stormy Daniels. Kjo e fundit pretendon se ka pasur mardhënie seksuale me zotin Trump, gjë që ish-presidenti e ka hedhur poshtë. Akuza thotë se pagesat bërë zonjës Daniels ishin pjesë e një skeme për të ndikuar zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Gjatë procesit gjyqësor që hyri sot në ditën e 12-të të tij, ka dëshmuar një ish-ndihmëse e lartë e zotit Trump, Hope Hicks dhe David Pecker, ish-botues i një tabloidi të njohur, që sipas prokurorëve ishte pjesë e skemës për të bllokuar publikimin e historive negative për zotin Trump që mund t’i dëmtonin atij shanset për t’u zgjedhur.

Zoti Trump është deklaruar i pafajshëm dhe mohon të ketë pasur marrëdhënie seksuale me zonjën Daniels.

Po kështu ish-Presidenti është ankuar shpesh se gjyqi penal e ka mbajtur atë larg fushatës presidenciale ku ai është kandidati i pritshëm republikan.

Gjatë fundjavës, ai organizoi në Florida një mori takimesh që lidheshin me një përzgjedhje të mundshme të kandidatit republikan për nënpresident.

Padia penale e Nju Jorkut shihet gjerësisht me më pak peshë krahasuar me tre padi penale me të cilat përballet zoti Trump.

Në dy raste ai akuzohet për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 si dhe për mbatje të paautorizuar dhe të qëllimtë të dokumenteve sekrete.

Zoti Trump ka deklaruar se është i pafajshëm për të treja çështjet.

Gjyqi i Nju Jorkut është e vetmja çështje për të cilën pritet të ketë një vendim përpara zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit.

Është e paqartë se kush do të dëshmojë të hënën. Prokurorët e kanë mbajtur të fshehtë listën e dëshmitarëve që do të thërrasin për shkak të shqetësimeve se zoti Trump mund të përpiqet të ndikojë tek ata që akuza i sheh si personat kyç të procesit./VOA