Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi Gazment Bardhi u thirr nga SPAK-u për të dëshmuar për deklaratat dhe denoncimin për përfshirjen e Olsi Ramës në çështjen e drogës “Xibraka”.
Rama thotë se i ndërsa fjalët mund t’i marrë era drejtësia vepron me ligje dhe prova duke shtuar se në dëshminë para SPAK-ut nga Gazment Bardhi mungon konfirmimi se kur ka shkruar informacion ai nuk ka dashur të anashkalojë akuzën për kallëzim të rremë por thjesht një lajthitje profesionale.
Më tej kryeministri thekson se nëse nuk plotësohet mungesa e konfirmimit atëherë i takon SPAK-ut të ndajë të vërtetën nga shpifja që ose është Olsi Rama trafikant ose Bardhit duhet t’i vihet “proteza e ligjit”.
“Llafet i merr era, ndërsa drejtësia vepron vetëm me ligje e me prova, prandaj tani pas llafeve të mëdha edhe një detaj i vogël mungon dhe pastaj jemi krejt në rregull! Pra mungon konfirmimi në dëshminë ligjore para SPAK-ut nga vetë B-ja i vogël me gojën e madhe, se kur ka shkruar “Informacion” në fakt kallzuesi i rremë nuk ka dashur t’ia hedhë me procedurë rrezikut që vjen nga marrja si i pandehur për kallzim të rremë, po thjesht ka pasur një moment lajthitje profesionale. Në rast se plotësohet kjo mungesë domethënëse për fatin e të vërtetës, atëherë SPAK-u ka të gjithë mundësinë ta ndajë të vërtetën nga shpifja dhe viktimën nga fajtori. Pra o B-ja e vogël ka zbuluar një trafikant droge në rrethin tim të ngushtë familjar dhe trafikantit duhet t’i hiqet menjëherë liria, o gojës së madhe i duhet vënë proteza e ligjit! Ka vetëm një të vërtetë në këtë mes dhe s’ka asnjë rrugë të mesme”-shkruan Rama në rrjetin “X”.