Një numër ish-zyrtarësh dhe zyrtarësh të rangut të lartë në Maltë janë akuzuar për korrupsion lidhur me një skandal privatizimi spitalor, njoftoi të mërkurën agjencia e lajmeve AFP.
Akuzat kundër ish-kryeministrit Joseph Muscat, zëvendëskryeministrit të tanishëm Chris Fearne dhe Guvernatorit të Bankës Qendrore të vendit të BE-së, Edward Scicluna, u ngritën të hënën, tha AFP, duke cituar dokumentet që kishte marrë.
Muscat, i cili ishte kryeministër i Maltës midis viteve 2013 dhe 2020, thuhet se është akuzuar për marrje ryshfeti, korrupsion dhe pastrim parash.
Gazetarja malteze Daphne Caruana Galizia, e cila botoi hetime të gjera mbi marrëveshjet e privatizimit të administratës së Muskatit, u vra në vitin 2017. Pasojat politike nga vrasja e detyruan Muscat-in të jepte dorëheqjen në fund të 2019.
Fearne dhe Scicluna u akuzuan për mashtrim, përvetësim dhe përfitime përmes mashtrimit, raportoi AFP.
Akuzat janë rezultat i një hetimi që daton nga një vendim i vitit 2015 nga qeveria laburiste e Muscat për të kaluar menaxhimin e tre spitaleve publike në vendin ishullor mesdhetar tek një kompani private. Firma më vonë ia shiti koncesionin rrjetit spitalor “Steward US”.
Zinxhiri në pronësi private paraqiti kërkesën për mbrojtje nga falimentimi të hënën, duke vënë në shitje të 31 spitalet e tij në SHBA.
Vitin e kaluar, një gjykatë malteze anuloi privatizimin pasi marrëveshja ishte kundërshtuar nga opozita. Gjykata tha se kishte gjetur prova të abuzimit e mashtrimit. Një gjykatë apeli më vonë la në fuqi vendimin për shkak të “marrëveshjes së fshehtë” midis kompanive dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë.
Ministri i Shëndetësisë dhe shefi i stafit të Muscat në atë kohë janë akuzuar gjithashtu për ryshfet dhe pastrim parash, sipas AFP.
Kryeministri maltez Robert Abela hodhi dyshime mbi integritetin e hetimit të hënën. Mediat lokale e cituan atë të pretendonte se gjetjet e hetimit ishin të planifikuara për të dëmtuar perspektivat e Partisë së tij Laburiste përpara zgjedhjeve të qershorit për Parlamentin Evropian.
Muscat komentoi në Facebook të martën duke pretenduar se autoritetet “vendosën ta njollosin” pa e marrë në pyetje fare. Fearne pohoi gjithashtu të mërkurën se ai “nuk ishte shmangur kurrë nga respektimi i ligjit e shkelja e tij “.