Vendosni fjalën kyçe....

Projektligji për shëndetin seksual e riprodhues, Këshilli Ndërfetar: S’jemi ftuar në dëgjesa publike, të ndërpritet shqyrtimi


Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka reaguar lidhur me projektligjin për shëndetin seksual dhe atë riprodhues që po diskutohet së fundmi.

Përmes një njoftim për shtyp, Këshilli ka deklaruar se nuk është thirrur në dëgjesë publike dhe për mungesën e relacionit shoqërues të projektligjit.

Bazuar në të drejtat e tij statutore, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, pasi u njoh nëpërmjet medias me projektligjin “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, në datën 29 prill 2024 mblodhi Bordin e Presidencës, së bashku me një grup pune të miratuar nga pesë komunitetet fetare, të përbërë nga specialistë: juristë, sociologë, teologë dhe mjekë. Gjatë këtij takimi, Këshilli Ndërfetar ngriti shqetësimin për mungesën e përfshirjes së komuniteteve fetare në dëgjesën publike të këtij ligji, si palë e interesit dhe për mungesën e një relacioni, që duhet ta shoqërojë këtë projektligj në faqen zyrtare. Grupi i punës ka paraqitur para Bordit të Presidencës argumentet profesionale në lidhje me projektligjin në fjalë dhe efektet negative që ai mund të ketë për shëndetin e individit, familjes dhe shoqërisë.” – thuhet në hyrje të njoftimit.

Më tej këshilli thekson se i është drejtuar me letër të hapur institucioneve shtetërore lidhur me projektligjin në fjalë dhe ka kërkuar ndërprerjen e shqyrtimit të tij pa pjesëmarrjen në seancat këshillimore në Ministrinë e Shëndetësisë.

Po kështu në reagim nënvizohet se duhet t’i njihet e drejta të paraqesë vëzhgimet e kundërshtitë lidhur me projektligjin.

“Pas një pune intensive disaditore të specialistëve të fushës, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, bazuar në statutin e tij, të miratuar në vitin 2007, i drejtohet me një letër të hapur institucioneve më të larta shtetërore: Kuvendit të Republikës së Shqipërisë – Kryetares, znj. Lindita Nikolla dhe Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë; Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama; Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministres znj. Albana Koçiu; Avokatit të Popullit, znj. Erinda Ballanca dhe për dijeni Presidentit të Republikës, SH.T.z. Bajram Begaj. Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, si grup interesi, kërkon të ndërpritet shqyrtimi i projektligjit në fjalë pa pjesëmarrjen e tij në seancat konsultative në Ministrinë e Shëndetësisë; t’i njihet e drejta të paraqesë vëzhgimet, prapësimet dhe kundërshtitë lidhur me projektligjin; si dhe të bëhet pjesë e dëgjesave publike të këtij projektligji. Në rast të kundërt, Këshilli Ndërfetar kërkon që projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” të mos kalojë në Kuvendin e Shqipërisë.” – thuhet më tej në reagim.

Në fund këshilli thekson se pret që kërkesat e tij të merren parasysh nga autoritetet.

“Me dëshirën që kërkesat tona, të cilat përfaqësojnë vullnetin dhe qëndrimet e të gjithë besimtarëve tanë, pjesë e pesë komuniteteve fetare zyrtare dhe shoqërisë shqiptare, të marrin vëmendjen e duhur nga ana e institucioneve ligjzbatuese dhe të gjithë së bashku, të punojmë për një të ardhme më të mirë e më të sigurt për brezat e rinj, me besim te Zoti e te ligji për të mirën e përbashkët.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë qytetarët e saj!

Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë

Haxhi Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos, Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

Imzot Gjergj Meta, Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë

Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjysh Botëror i Kryegjyshatës Bektashiane

Pastor Ergest Biti, Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë.”