Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj ngriti shqetësimin nga foltorja e Kuvendit se mazhoranca po tenton të vendosë në kontroll drejtësinë, duke ngritur komisionin për punën e SPAK-ut, i paralajmëruar disa muaj më parë nga socialistët.
Gjatë interpelancës me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, për amnistinë penale, Alibeaj denoncoi se punonjësit e BKH janë dëbuar nga kryeministria ku kishin shkuar të marrin dokumente në funksion të punës hetimore.
“Asnjë referim nuk është bërë në SPAK për vitin e kaluar, Punonjësit e BKH dëbohen nga oborri i kryeministrisë se duan të shkojnë të marrin materialet atje. Klithmat e kryeministrit se do të ngrinte atë komisionin, po e ngre dhe parlamenti u bë palë. Ky është rreziku i madh. SPAK drejtësia e re janë në rrezik.
Unë sot kam një thirrje për dy kategori, së pari për ndërkombëtarët, është një alarm i madhe për atë cfarë po ndodh për drejtësinë dhe për të ardhmen e këtij vendi. Janë një shumicë e frikshme që treguan se nuk kanë asnjë cipë për të ndërmarrë cdo inciative natën për të goditur drejtësinë.
Së dyti e kam për shqiptarët, e kam për 70% të shqiptarëve që sot janë të etur për drejtësi. Është në dorë të tyre që me votën e tyre të kuptojnë që do ta lënë në dorë të të korruptuarve apo do ta marrin në dorë”, tha Alibeaj.