Vendosni fjalën kyçe....

SHBA pezullon dërgesat me armë për Izraelin për shkak të sulmit në Rafah


Shtetet e Bashkuara kanë përshkallëzuar trysninë mbi Izraelin lidhur sulmin në Rafah, duke pezulluar përkohësisht dërgesat me armë. Zyrtarët izraelitë e kritikuan sot vendimin e presidentit Biden për të pezulluar dërgesat me armë në Izrael.

Ambasadori izraelit në OKB, Gilad Erdan e quajti masën “një deklaratë të rëndë dhe shumë zhgënjyese nga një president për të cilin kemi qenë mirënjohës që nga fillimi i luftës”.

Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë Itamar Ben Gvir tha në rrjetin X se “Hamasi e do Presidentin Biden”. Kjo është hera e parë që nga sulmi terrorist i Hamasit më 7 tetor, që Shtetet e Bashkuara përdorin një transferim armësh për të ndikuar në operacionet e Izraelit në Rripin e Gazës.

Presidenti Biden tha në një intervistë për rrjetin CNN të mërkurën se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të furnizojnë Izraelin me armë mbrojtëse, si municionet për sistemin e mbrojtjes nga raketat, “Iron Dome”.

“E kam bërë të qartë se nëse ata shkojnë në Rafah, gjë që nuk e kanë bërë ende, unë nuk do ta furnizojë Izraelin me armët që do të përdoreshin për operacionet në qytete si Rafah”, tha ai.

Vendimi i Presidentit Biden pasoi diskutimet e zyrtarëve amerikanë me Izraelin për të “operuar ndryshe kundër Hamasit dhe ndryshe ndaj zonave të tjera në Gazë”, tha një zyrtar i lartë i administratës në një deklaratë dërguar Zërit të Amerikës. Zyrtari foli në kushte anonimiteti.

Ndërsa numri i viktimave në Rripin e Gazës po rritej, administrata e Presidentit Biden paralajmëroi në fillim të prillit se mbështetja e amerikane për luftën e Izraelit do të kushtëzohej me masat konkrete për mbrojtjen e civilëve.

Në fillim të kësaj jave, Izraeli filloi një operacion ushtarak në Rafah, në jug të Rripit të Gazës, ku po strehohen 1.3 milionë civilë, duke nxitur Shtetet e Bashkuara të pezullonin dërgimin e armëve në Izrael.

“Duke marrë parasysh zhvillimet në Rafah, ne jemi duke shqyrtuar disa dërgesa afatshkurtëra të ndihmës ushtarake për Izraelin”, tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Kjo është hera e parë që nga sulmi terrorist i Hamasit më 7 tetor, që Shtetet e Bashkuara përdorin dërgesat e armëve për të ndikuar në operacionet e Izraelit në Rripin e Gazës.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë kërkuar për një kohë të gjatë që Shtetet e Bashkuara t’i japin fund dërgimit të armëve, duke akuzuar Izraelin për përdorimin e tyre në kundërshtim me ligjin humanitar.

Vendimi u mirëprit nga progresistët në Partinë Demokrate të Presidentit Biden, por u kritikua nga ligjvënësit republikanë, duke përfshirë senatorin Lindsey Graham.

“Doni të mikromenaxhoni luftën? Ne hodhëm dy bomba atomike mbi japonezët pas sulmit në Pearl Harbor. A shqetësohej vërtet dikush në Amerikë për këtë?”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara shqyrtuan fillimisht pezullimin e dërgesave të armëve muajin e kaluar, pasi Izraeli dukej më afër një vendimi për të nisur një sulm në Rafah, tha një zyrtar i lartë amerikan. Për shkak se izraelitët nuk morën parasysh plotësisht kërkesat e Shteteve të Bashkuara, administrata e Presidentit Biden vendosi të pezullonte transferimin e armëve javën e kaluar.

Kjo përfshin 1800 bomba, 900 kilogramëshe dhe 1700 bomba me peshë rreth 220 kilogramëshe.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu po shqyrtojnë pezullimin e dërgesave me teknologji që shërbejnë për modernizimin e armëve dhe municioneve.

Një ditë para këtij vendimi, Presidenti Joe Biden theksoi mbështetjen e tij për Izraelin.

“Angazhimi im për sigurinë e popullit hebre, sigurinë e Izraelit dhe të drejtën e tij për të ekzistuar si një shtet i pavarur hebre është i hekurt, edhe në raste kur nuk jam dakord me veprimet e udhëheqjes së tij”, tha ai.

Administrata e tij së fundmi miratoi një ndihmë ushtarake me vlerë 827 milionë dollarë për Izraelin. Njëkohësisht, ajo shkeli një afat të mërkurën për të paraqitur një raport në Kongres, që duhej të vlerësonte nëse Izraeli i ka përdorur armët amerikane në kundërshtim me ligjin humanitar.

“Ne vazhdojmë të punojmë për të përfunduar raportin dhe presim ta dorëzojmë atë në një të ardhme shumë të afërt”, tha zëdhënës i Departamentit të Shtetit. Matthew Miller.

Pavarësisht operacionit të Izraelit në Rafah, negociatat për arritjen e një armëpushimi dhe lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në këmbim të palestinezëve të burgosur në Izrael, po vazhdojnë./VOA