Trupat izraelite janë duke luftuar me radikalët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Rafah, në jug të Gazës, ku një sulm me raketa dhe një inkursion izraelit më herët gjatë kësaj jave çuan në mbylljen e pikëkalimeve kufitare, prej ku hyjnë ndihmat e nevojshme humanitare.
Po ashtu beteja janë duke u zhvilluar në zonën Zeitun, në periferi të Qytetit të Gazës, në pjesën veriore të territorit. Gaza veriore ishte caku i parë i ofensivës tokësore dhe Izraeli tha vitin e kaluar se në këtë zonë ka zhdukur pothuajse krejtësisht praninë e Hamasit.
Në një deklaratë të premten, ushtria izraelite tha se ka lokalizuar disa tunele në lindje të Rafahut, afër kufirit me Egjiptin dhe ka eliminuar radikalët “gjatë luftimeve në distancë të afërt dhe përmes sulmeve ajrore”.
Krahu ushtarak i Hamasit tha se ka kryer një sulm të ndërlikuar, duke sulmuar një shtëpi ku trupat e Izraelit kishin zënë pozicion, një autoblindë dhe ushtarë që operonin në këmbë, përcjell REL.
Ende nuk ka ndonjë koment për këto pretendime të Hamasit nga ushtria izraelite. Po ashtu, ky pretendim i grupit radikal palestinez nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.
Hamasi po ashtu tha se ka lëshuar një sërë mortajash në pikëkalimin Kerem Shalom, që gjendet afër vendit ku trupat izraelite operojnë. Ushtria izraelite tha se ka penduar dy raketa.
Ky pikëkalim u mbyll pas një sulmi me raketa fundjavën e kaluar, kur u vranë katër ushtarë izraelitë. Izraeli tha se ka rihapur kufirin në anën e saj, por agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë tha se në anën e Gazës është e pamundur të rihapet pikëkalimi për shkak të luftimeve që po vazhdojnë.
Të martën, forcat izraelite morën në kontroll pjesën ku gjendet pikëkalimi mes Rafahut dhe Egjiptit, duke detyruar që të mbyllet pikëkalimi.
Grupet e ndihmës kanë thënë se mbylljet e pikëkalimeve do të pengojnë operacionet humanitare në territor, ku banorët po përballen me uri.
Më shumë se 100.000 persona janë larguar nga Rafahu për shkak të luftimeve, thanë Kombet e Bashkuara.
Pothuajse 1.3 milion palestinez – mbi gjysma e popullsisë së Gazës – janë strehuar në Rafah që kur ka nisur lufta.
Lufta në Gazë ka nisur më 7 tetor, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 34.500 palestinezë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha një ditë më herët se Shtetet e Bashkuara e kanë kërcënuar se nuk do t’i japin Izraelit disa armë, duke tentuar që të parandalojnë Izraelin nga zgjerimi i ofensivës në Rripin e Gazës.