Vendosni fjalën kyçe....

UEFA konfirmon vendet shtesë në Ligën e Kampionëve për Gjermaninë dhe Italinë


UEFA edhe zyrtarisht ka bërë të ditur se Italia dhe Gjermania do të kenë së paku nga pesë skuadra në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Kjo vije pasi skuadrat italiane dhe gjermane regjistruan rezultatet më të mira në garat evropiane këtë sezon.

Liga e Kampionëve nga sezoni 2024/25 do të jetë me formatit e ri të me 36 skuadra, me dy nga katër vendet shtesë që do të plotësohen nga vendet evropiane me performancën më të mirë të përbashkët të skuadrave në garat e UEFA-s.

Borussia Dortmundi u kualifikua për në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve, derisa skuadra tjetër nga Gjermania, Bayer Leverkuseni, siguroi pjesëmarrjen në finalen e Ligës së Evropës.

Siç qëndrojnë gjërat, skuadra nga Dortmundi është jashtë top katërshes në Bundesligë, por do të mund të kualifikohet nga pozita e pestë.

“Verdhezinjtë” do të siguronin automatikisht pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, nëse do të mposhtin Real Madridin në finalen e këtij sezoni.

Në anën tjetër, nga skuadrat italiane suksesin më të madh e arriti Atalanta, e cila do të luajë në finalen e Ligës së Evropës.

Skuadra nga Bergamo është e pesta në tabelën e Serie A deri tash, por mund të sigurojë automatikisht kualifikimin për në Ligën e Kampionëve sezonin tjetër, nëse triumfon në finalen e Ligës së Evropës.

Kësisoj, Italia dhe Gjermania kanë mundësinë që të përfaqësohen edhe me gjashtë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, por kjo varet nga renditja përfundimtare në tabelë e Borussia Dortmundit dhe Atalanta, si dhe rezultatet e tyre në finalen e Ligës së Kampionëve, përkatësisht Ligës së Evropës.