Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar për vrasjen e efektivit të policisë në qytetin e Fierit.
Balla duke shprehur ngushëllimet e tij për të afërmit e viktimës, bëri thirrje që policia dhe drejtuesit e saj të bëjnë gjithçka për arrestimin e autorit sa më parë të jetë e mundur.
Ai theksoi se ende nuk dihen arsyet e ngjarjes, ndërsa i bëri thirrje edhe vetë autorit dhe familjarëve të tij që ai të dorëzohet pranë autoriteteve.
“Dua të shpreh në këtë rast dhimbjen që ndjej për humbjen e jetës së një punonjësi policie. Nxis policinë dhe drejtuesit e saj që të bëjnë gjithçka për arrestimin një orë e më parë të autorit. E them shpesh që do të bëjmë gjithçka që në këtë vend të ngulitet mirë në mendjen e kujtdo që është e papranueshme të ngresh dorën ndaj një punonjësi policie. Nuk dua të hyj në interpretimin e informacioneve paraprake, ende nuk dihen arsyet. Gjithsesi përgjegjësia e parë që bie mbi policinë është identifikimi menjëhershëm i autorëve”, deklaroi Balla.
28-vjeçari Novruz Cenalia me detyrë punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” dyshohet se është konfliktuar me shtetasin Asllan Mernica i njohur edhe si Azgan Mernica, ku ky i fundit ka qëlluar drejt efektivit duke i marrë atij jetën.