Gjykata e Posaçme ka lënë në burg Rexhep Rapin, i njohur si Kep Arapi.
Arapi kërkoi zëvendësimin e masës së arrestit të caktuar në dhjetor të vitit të kaluar nga Gjykata e Posaçme e Procedurës Penale.
‘Shtetasi nën hetim Rexhep Rapi (alias Kep Arapi) ka paraqitur pranë Gjykatës më datë 31.01.2024 kërkesën me objekt: Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj tij me Vendimin nr. 138, datë 20.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Etleva Deda, bazuar në nenin 260 të Kodit të Procedurës Penale, me vendimin Nr. 83, datë 13.05.2024, vendosi:
Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/personit nën hetim Rexhep Rapi (alias Kep Arapi), me objekt: “Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj tij me Vendimin nr. 138, datë 20.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, si të pambështetur në ligj dhe prova.
Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen kërkuesit.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda afatit ligjor në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Tiranë, më datë 13.05.2024
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar-thuhet në vendim.
Mbi Arapin, i njohur ndryshe edhe si i “forti” i Durrësit rëndojnë një sërë akuzash nga “organizimi i emigracionit të paligjshëm”, drogë, grup i strukturuar kriminal por ka edhe dosje të tjera që kanë të bëjnë në lidhje me pronat në Gjirin e Lalzit.