Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në fjalën e tij përpara Bashkisë së Tiranës tha se kjo është hera e shtatë e protestës dhe janë të shtatat e një monstre politike, duke nënkuptuar kryebashkiakun Veliaj.
Blushi theksoi se kryebashkiaku Veliaj do të nxirret cullak nga populli, pasi edhe rrobat e trupit i ka të vjedhura.
Ai tha se drejtësinë nuk do e sjellë SPAK, që tha se është drejtësi me regji, por populli.
Tedi Blushi: Sot janë të shtatat e një monstre politike dhe një fundërine, simbol i internacionales së surrogative, simbol i prindit 1 dhe prindit 2. Do ta shembim murin e korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë. Kjo bashki ka vjedhur së paku 137 milionë euro vetëm me projektin e inceneratorin e Tiranës.
Ne protestojmë sot sepse nuk mund të pranojmë që bizneset e ndershme në Tiranë të falimentojnë, ne nuk mund të pranojmë që qytetarët paguajnë më shumë për ujin dhe nuk ka ujë, nuk mund të pranojmë që qytetarët paguajnë taksë për gjelbërimin dhe nuk ka gjelbërim. Sot për një dritare arrestohesh dhe kur ndërtohen kullat shpërblehesh. Do të jemi këtu derisa Veliaj të arrestohet, do i sekuestrohet çdo qindarkë, do ta nxjerrim cullak, do ia heqim edhe rrobat që ka vjedhur me paratë e popullit. Këta nuk mund t’i arrestojë drejtësia e re, por do i arrestojë populli.