Ndër projektet më të financuara të investimeve në vitin 2023 ishin ato të infrastrukturës rrugore, sipas një liste që përpiloi Ministria e Financave për realizimin e investimeve buxhetore, sipas zërave të projekteve më 2023.
Ndër 50 projektet më të financuara më 2023 është Tuneli i Llogorasë, me 9.6 miliardë lekë, ose rreth 90 milionë euro.
Financimet për këtë projekt janë drejt mbylljes, pasi nga viti 2021 deri më 2023 janë financuar 15.8 miliardë lekë. Projekti është drejt përfundimit dhe tuneli do të jetë i aksesueshëm për automjetet në fillim të sezonit të verës.
Pas tunelit të Llogorasë, financimet buxhetore më të mëdha janë dhënë për investime në ushtri, me rreth 6 miliardë lekë të dhëna për armatim dhe përmirësimin e sistemeve teknologjike në ushtri.
Në krye të listës së investimeve ishte rindërtimi i banesave individuale me rreth 3,5 miliardë lekë financim (33 milionë euro), (shiko tabelën).
Projekti i katërt më i financuar më 2023 ishte kontrata e koncesionit me PPP për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, me 3.5 miliardë lekë.
Një ndër projektet më të financuara ishte ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i ri me 1,9 miliardë lekë, i ndjekur nga Rruga Korçë – Ersekë me 1,4 miliardë lekë si dhe nga segmentet e tjera të Unazës së Madhe.
Më tej skarpatet në Rrugën e Arbrit ishin në top listën e projekteve më të financuara më 2023, me rreth 1,37 miliardë lekë.
Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës – Tiranë – Rinas u financua me vlerë 1 miliard lekë.
Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se lista e investimeve kishte një program financimi 121 miliardë lekë për vitin 2023, por janë realizuar 106 miliardë lekë, ose 87%.
Zëri më produktiv i arkës së shtetit vuan nga mosrealizimi i lartë i planit dhe përqendrimi i alokimeve në dy muajt e fundit të vitit.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se gjatë muajit dhjetor 2023 u paguan 430 milionë euro në zërin “investimet publike”.
Kjo shumë ishte sa 40% e fondit vjetor të investimeve publike që u realizua gjatë vitit të kaluar./B.Hoxha
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor