Vendosni fjalën kyçe....

Olsi Rama tjetër padi ndaj Gazment Bardhit: Të nisë procedimi penal për kallëzim të rremë


Olsi Rama ka bërë sërish padi në SPAK ndaj kreut të Grupit të PD-së, Gazment Bardhi, pas akuzave të Bardhit ndaj tij, për laboratorin e Xibrakës.

“Në cilësinë e kallëzuesit, unë Ols Rama, jam vënë në dijeni për një deklaratë publike të shfaqur në median online ndaj personit tim, të bërë nga një deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, i kallëzuari Gazment Bardhi.

Për shkak se ky veprim i tij lidhet me deklarata të mëparshme ndaj meje të cilat, në vlerësimin tim, në tërësinë e tyre përmbajnë elementët e veprës penale të “Kallëzimit të rremë”, të parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal, dhe më cenojnë pikësëpari mua si person duke më dhënë cilësinë e viktimës së veprës penale, bazuar në nenet 58 e 283 të Kodit të Procedurës Penale, paraqes këtë kallëzim penal me shkrim”, thuhet në dokumentin e depozituar.

Ndërsa shton: “Kërkoj regjistrimin e procedimit penal në ngarkim të z. Gazment Bardhi, deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për kryerjen e veprës penale të “Kallëzimit të rremë, të parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal. 2. Marrjen e akteve të materialit të kallëzimit penal nr. 68, datë 9.4.2024, të regjistruar nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Tiranë, sipas rregullave të parashikuara nga neni 191 i Kodit të Procedurës Penale, për shkak se i shërbejnë këtij kallëzimi të ri penal.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e TemA