Kryeqyteti i Polonisë ka udhëzuar nëpunësit civilë që të mos shfaqin kryqëzime dhe simbole të tjera fetare në Bashkinë e Varshavës, duke shkaktuar reagime nga grupet konservatore.
Sipas gazetës “Gazeta Wyborcza”, zyrtarët nuk do lejohen të varin kryqe ose kryqëzime në mure ose t’i mbajnë ato në tavolinat e tyre. Sidoqoftë, punonjësit e qeverisë do lejohen të mbajnë kryqe gjatë punës.
Rregullat e reja janë pjesë e një grupi më të gjerë rregullash që synojnë luftimin e formave të ndryshme të diskriminimit. Zyrtarët janë udhëzuar të përdorin gjuhë asnjanëse ndaj gjinisë, t’u drejtohen njerëzve me përemrat e tyre të preferuar dhe të mos diskriminojnë çiftet e së njëjtës gjini.
“Varshava është qyteti i parë në Poloni që miraton një dokument të tillë,” tha zëdhënësja e bashkisë Monika Beuth.
Disa politikanë dhe grupe fetare kanë argumentuar se rregullore të tilla janë të papërshtatshme në një vend me mbizotërim katolik.
“Unë mendoj se ky vendim është i panevojshëm,” tha Szymon Holownia, kryetar i parlamentit polak. “Kam gjetur një numër të madh kryqesh në muret e Sejmit. Ndërsa unë personalisht nuk do var kryqe në zyrat publike, nuk mendoj se sot në Poloni na duhet një luftë nëse kryqet duhet të hiqen nga muret”.
Anëtari konservator i parlamentit Sebastian Kaleta premtoi t’i kërkonte zyrës së prokurorit të kontrollonte nëse politikat e kryeqytetit shkelin ndonjë ligj, ndërsa grupi aktivist katolik “Ordo Iuris” u kërkoi njerëzve të dërgonin ankesa në bashkinë e qytetit.
Kryetari i Bashkisë së Varshavës Rafal Trzaskowski mbrojti rregullat e reja dhe kritikoi ata që i quajti “qenef mediatik”.
Ai shpjegoi se udhëzimet u vendosën për të siguruar një mjedis gjithëpërfshirës dhe për të mbështetur sekularizmin e Polonisë.
“Çdokush ka të drejtën e besimit të tij, ose mungesës së tij. Këtu përfshihen nëpunësit civilë dhe nëpunëset. Kushdo që vjen në zyrë për të trajtuar biznesin e tij ka të drejtë të ndiejë se ai ose ajo është në një zyrë asnjanëse. Kaq e thjeshtë është,” shkroi kryebashkiaku në X të enjten.
“Askush nuk ka ndërmend të zhvillojë një betejë kundër asnjë feje në Varshavë.”
Duke folur në një konferencë shtypi, Trzaskowski tha se rregulloret nuk do zbatohen për spitalet, shkollat dhe qendrat e mirëqenies sociale.
Ai sqaroi më tej se megjithëse udhëzimet ndalojnë ceremonitë fetare të zhvillohen në ndërtesat qeveritare, ato nuk do zbatohen për “festimet tradicionale historike”, siç është përkujtimi i kryengritjes së qytetarëve të Varshavës në vitin 1944 kundër pushtimit nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore.