Vendosni fjalën kyçe....

Ish-presidenti i Afrikës së Jugut ndalohet nga kandidimi në zgjedhje


Gjykata më e lartë e Afrikës së Jugut vendosi të hënën se ish-presidenti Jacob Zuma nuk do kishte të drejtë të kandidonte për parlament në zgjedhjet e fundit të këtij muaji për shkak të një dënimi të kaluar.

Komisioni Zgjedhor i Afrikës së Jugut (IEC) paraqiti një apel në Gjykatën Kushtetuese duke kundërshtuar kandidaturën e Zuma-s pasi Gjykata Zgjedhore e vendit vendosi se ai ende mund të kandidonte në zgjedhjet e 29 majit, pavarësisht se ishte dënuar me 15 muaj burg.

Kushtetuta e Afrikës së Jugut nuk lejon që një individ i dënuar për më shumë se një vit burg të mbajë poste publike.

Zuma ishte dënuar në korrik 2021 për shpërfillje të gjykatës pasi ai kundërshtoi të dëshmonte para një komisioni gjyqësor që hetonte korrupsionin gjatë presidencës së tij gati dhjetëvjeçare.

Zuma, 81 vjeç, u lirua nga burgu me kusht mjekësor pas vetëm tre muajsh për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit në arrest shtëpie.

Atij më vonë iu dha një falje e posaçme nga paraardhësi i tij dhe tashmë kundërshtari, Presidenti Cyril Ramaphosa.

Komisioni Zgjedhor tha se vendimi i së hënës nuk do ndikojë në asnjë mënyrë në fletët e votimit për zgjedhjet e ardhshme. Ekspertët thonë se skualifikimi i Zuma nga zgjedhjet do sjellë lehtësim për partinë e tij të mëparshme Kongresi Kombëtar Afrikan (ANC), e cila tani e sheh atë si një kërcënim në zgjedhjet e ardhshme. Mbështetësit dhe zyrtarët e Partisë MK të Zuma janë shprehur të zhgënjyer për vendimin e gjykatës.