Vendosni fjalën kyçe....

Alfred Balla përjashtohet nga sistemi i drejtësisë, Meta: Rilindja pasi të shtrydh, të flak


Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, lidhur me largimin për 15 vjet nga sistemi i drejtësisë të Alfred Ballës, kreut në detyrë të KLP-së.

Meta shkruan se Rilindja  “pasi të shtrydh pa mëshirë të flak me kënaqësi për të mbushur “statistikat” e saj të neveritshme se ne nuk pyesim as për “tanët”.

 “Asnjë iluzion për Ramaformën, kryeturpin e “reformave”!”, shkruan Meta.

Pasditen e sotme Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, shpalli vendimin për procesin e vetingut ndaj kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP, Alfred Balla.

Ndryshe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK që vlerësoi ta përfundojë procesin ndaj Ballës pa një vendim përfundimtar, Kolegji vendosi ta ndryshojë atë dhe vendosi sanksionin e kërkuar nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, që i ndalon kreut të KLP-së të riemërohet për 15 vitet e ardhshme në sistemin e drejtësisë në pozicione që kërkojnë statusin e magjistratit. Balla nuk ishte i pranishëm në momentin e shpalljes së vendimit.

Alfred Balla iu nënshtrua procesit të rivlerësimit kalimtar për shkak të punës së tij si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri në 31 korrik 2017, gjë që përcaktohej nga legjislacioni i vetingut të magjistratëve.